
Raporti: Viola Korça/Kanal10
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk do të merrë pjesë në takimin e thirrur nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë për të diskutuar për Asociacionin. Kjo pasi i njëjti nuk ka pranuar asnjë ftesë për pjesëmarrje. Por, pjesmarrjen në këtë takim e kanë konfimuar partitë opozitare dhe shoqëritë civile.
Fundi i janarit do të bëjë bashkë zyrtarë qeveritarë, liderë politikë, përfaqësues nga shoqëria civile, e diplomat për të diskutuar rreth Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Derisa përfaqësues të partive politike kanë konfirmuar se kanë pranuar ftesat për këtë diskutim, një të tillë nuk e ka pranuar edhe kryeministri Albin Kurti.
Këtë e ka konfirmuar për REL vetë ai.
“Unë nuk jam ftuar në atë takim, por ata që janë ftuar, le të shkojnë në atë takim dhe le ta diskutojnë. Por, po e ritheksoj, nga 33 marrëveshjet e Brukselit nuk bën të zgjidhet njëra sepse nuk ka hierarki. Nuk mund të krijohen hierarki artificiale, përveç rendit kronologjik. Ndërkaq, në anën tjetër, edhe nga propozimi i Bashkimit Evropian nuk mund të përzgjidhet vetëm ndonjë nen, i cili mendohet që e përfshin Asociacionin e komunave me shumicë serbe.”, Albin Kurti – Kryeministër i Kosovës
Pjesëmarrjen në këtë takim e kanë konfirmuar partitë opozitare në vend.
Nga PDK kanë bërë të ditur se kryetari i saj, Memli Krasniqi nuk do të jetë pjesë, por një përfaqësues tjetër i lartë.
“Sigurisht se PDK do të marr pjesë në këtë takim pos tjerash edhe pse është e vetëdijshme për rëndësinë që ka ky takim, si dhe ndjeshmërinë e fazës në të cilën gjendemi në raportet me Serbinë. Në pamundësi që Kryetari Memli Krasniqi të marrë pjesë në këtë takim, sepse zyrtarisht do të udhëtoj në SHBA (Uashington DC) ku do të ketë takime shumë të rëndësishme, ai do ta delegoj një përfaqësues të lartë të strukturave të PDK që të marr pjesë në këtë takim.”, Faton Abdullahu- Zëdhënës i PDK-së
Kurse, burime të Kanal10 thonë se në këtë takim LDK-ja do të përfaqësohet nga Lutfi Haziri.
Kanal 10 gjatë ditës ka kontaktuar me Hazirin, por i njëjti nuk ka pranuar të flasë.
Kurse, nënkryetari i parë i AAK-së, Ardian Gjini do të jetë përfaqësuesi i kësaj partie në tryezën e mbyllur.
“Po, një përfaqësues i Aleancës do të merr pjesë në takimin e organizuar nga Ambasada Amerikane.”, Lulëzim Blaka – Zëdhënës i AAK-së
Edhe nga Insituti Demokratik i Kosovës kanë konfimuar se do të jenë pjesë e tryezës së diskutimit, por pa dhënë shumë detaje.
Një draft-statut rreth Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe pritet të prezantohet edhe më 30 janar.
Kjo nga Dega në Kosovë e Fondacionit gjerman ‘Friedrich Ebert-Stiftung’ .
FES ka bërë të ditur se deri te ky draft kanë ardhur pas konsultimeve me akterë të ndryshëm.