Kontaktoni

info@gazeta10.com

10 LIVE

Zëvendësimi i zyrtarëve serbë të dorëhequr

Gazeta10
29 January 2023 - 19:49

Raporti: Kanal10

Policia e Kosovës sërish u ka bërë thirrje pjesëtarëve të komuniteteve që të aplikojnë në konkursin e hapur pas dorëheqjeve në veri të vendit. Ndërkaq, njohës të sistemit të drejtësisë kanë thënë se Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe ai Prokurorial do të duhej që të dërgonin gjyqtarët dhe prokurorët nga zonat tjera në veri deri në plotësimin e atyre vendeve.

Shumë institucione në pjesën veriore të vendit, vazhdojnë të funksionojnë me mungesë të stafit, pas dorëheqjeve të zyrtarëve serbë.

Për zëvendësimin e tyre, autoritetet kosovare kanë hapur edhe konkurse.

Policia e Kosovës vazhdon t’u bëjë apel qytetarëve nga komunitetet pakicë që të aplikojnë për t’u bërë pjesë e forcave të sigurisë.

Përveç zyrtarëve policorë, njohës të sistemit të drejtësisë kanë thënë se me largimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve nga sistemi i drejtësisë në veri të vendit, ka bërë që procesi disa vjeçar i integrimit të asaj pjese të kthehet në pikën zero.

Antoni Nrecaj nga Qendra për Ndihmë Juridike dhe Zhvillim Regjional, ka thënë se Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe ai Prokurorial do të duhej që të dërgonin gjyqtarët dhe prokurorët nga zonat tjera në veri deri në plotësimin e atyre vendeve.

Ndërkaq, sipas Lavdim Makshanës nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, me largimin e prokurorëve dhe gjyqtarëve shumë lëndë në Gjykatën Themelore në Mitrovicë janë kthyer në pikën zero dhe shumë tjera kanë mbetur pa epilog përfundimtar.

Ndryshe, institucionet e vendit kanë hapur konkursin pasi rreth 550 pjesëtarë të komunitetit serb që janë larguar nga Policia e Kosovës në katër komunat në veri, në nëntor të vitit 2022.

Ata ishin në mesin e punëtorëve të sistemit të drejtësisë, institucioneve lokale dhe qendrore dhe të tjera, që ishin dorëhequr në shenjë pakënaqësie me një vendim të Qeverisë së Kosovës, që kërkonte nga serbët të riregjistronin makinat me targa e Kosovës, dhe të largonin ato të lëshuara nga Serbia.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.