Kontaktoni

info@gazeta10.com

10 LIVE

Chollet e Escobar thonë se është koha për themelimin e Asociacionit dhe se Kosova s’mund t’i ikë zotimit

Gazeta10
30 January 2023 - 19:01

Raporti: Afërdita Lukaj / Kanal10

Në një tekst autorial nga Derek Chollet, Këshilltar i Departamentit amerikan të Shtetit dhe Gabriel Escobar, i dërguar i Posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, kanë bërë thirrje përsëri për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Por, zyrtarët amerikanë kanë thënë se ndër detyrat më kritike mbetet zbatimi i marrëveshjes për Asociacionin dhe sipas tyre, Kosova nuk mund t’i ikë këtij zotimi.

Thirrjet e zyrtarëve të lartë amerikanë për krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, kanë vazhduar edhe me fillimin e kësaj jave.

Një ditë para takimit në Ambasadën e SHBA-së në Prishtinë, këshilltari i Departamentit të Shtetit, Derek Chollet dhe i dërguari i posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, kanë thënë tani është koha për krijimin e Asociacionit.

Në një tekst autorial nga Chollet dhe Escobar, kanë thënë se ndër qëllimet më të rëndësishme të Amerikës në Ballkanin Perëndimor është që të ndihmojnë në krijimin e kushteve “për marrëdhënie të shëndetshme, paqësore dhe të qëndrueshme ndërmjet Serbisë dhe Kosovës”.

Por, zyrtarët amerikanë kanë thënë se ndër detyrat më kritike mbetet zbatimi i marrëveshjes për Asociacionin.

“Në përgjithësi, Asociacioni do të ishte strukturë për komunat me popullatë me shumicë etnike serbe për të bashkërenditur çështjet dhe shërbimet si arsimi, kujdesi shëndetësor, planifikimi urban dhe rural dhe zhvillimi ekonomik lokal – me fjalë të tjera, funksionet për të cilat të gjitha komunat në Kosovë janë përgjegjëse”.

Ata kanë thënë se e kundërshtojnë rreptësisht krijimin e çfarëdo etniteti që i përngjan Republikës Serbe në Bosnjë dhe Hercegovinë.

“Zotimi i Kosovës për ta krijuar Asociacionin nuk e cenon Kushtetutën e saj, as nuk kërcënon sovranitetin, pavarësinë ose institucionet demokratike të saj. Ne e kundërshtojmë rreptësisht krijimin e çfarëdo etniteti që i përngjan Republikës serbe në Bosnjë dhe Hercegovinë (BH); Bashkësia ndërkombëtare nuk po kërkon të imponojë një zgjidhje. Në vend të kësaj, ne po kërkojmë nga Kosova që ta ofrojë vizionin e saj për këtë Asociacion dhe jemi të gatshëm të ofrojmë ekspertizë dhe mbështetje politike për të siguruar që ajo funksionon në interesin më të mirë të kosovarëve.”

Në këtë shkrim të Chollet dhe Escobar thuhet se brenda kornizës së dialogut të lehtësuar nga BE-ja, Kosova mund të refuzojë opsionet që kërcënojnë strukturën e saj ligjore, por nuk mund të refuzojë zotimet e saj.

“Si vendi më prokosovar në botë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të përkushtuara të mbështesin popullin e Kosovës për të siguruar që struktura e saj kushtetuese dhe ligjore nuk cenohet.”

Me qëndrimet amerikane është pajtuar ambasadori gjerman në Prishtinë Jorn Rohde, i cili ka thënë se Kosova është vonuar me formimin e Asociacionit.

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas, më 2015, mbi parimet për themelimin e këtij mekanizmi, por më pas  Gjykata Kushtetuese ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.