Kontaktoni

info@gazeta10.com

Duhet Lexuar

Opozita: Shqetësuese qasja e Qeverisë ndaj ShBA-së

Gazeta10
30 January 2023 - 19:12

Raporti: Bleona Dallaveraj / Kanal10

Mjeruese dhe shqetësuese e kanë konsideruar partitë opozitare, qasjen e Qeverisë së Kosovës karshi kërkesave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ata kanë kërkuar që në koordinim me aleatët, ekzekutivi t’i jep drejtim kërkesës për Asociacionin. Ndërkaq, nga Lëvizja Vetëvendosje kanë mohuar se Qeveria ka përplasje me SHBA-në.

Me gjithë deklarimet publike të palëve, nga Lëvizja Vetëvendosje janë shprehur të bindur se Qeveria e Kosovës nuk ka prishje të raporteve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Shefja e deputetëve të partisë në pushtet, Mimoza Kusari Lila ka thënë se mund të ketë mendime ndryshe, por jo përplasje me SHBA-në.

Sa i përket Asociacionit, të martën do të mbahet takimi i thirrur nga Ambasada Amerikanë në Prishtinë, por Kusari Lila ka theksuar se mund të ketë iniciativa për diskutim, por sipas saj, asgjë nuk mund të bëhet pa përfshirjen e institucioneve kryesore të vendit.

Kurse, shefi i deputetëve të PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se qasja e ekzekutivit me ShBA-në është shqetësuese.

Ai ka kërkuar nga kryeministri Kurti që t’i jep drejtim kërkesave amerikane për Asociacionin.

Ndërkaq, LDK-ja ka njoftuar se në takimin e së martës, do të konfirmojë edhe njëherë mbështetjen për procesin e dialogut, për një marrëveshje përfundimtare, ligjërisht të obligueshme dhe me njohjen reciproke, mbesin të pandryshueshme.

Në lidhje me Asociacionin, LDK-ja ka vlerësuar se kjo çështje është kompetencë dhe përgjegjësi kushtetuese e Qeverisë.

“LDK-ja i bën thirrje Qeverisë së Kosovës që të mos fshihet prapa akuzave populiste ndaj opozitës, por të ushtrojë përgjegjësitë e saja si shumicë dhe të trajtojë këtë çështje në përputhshmëri me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës si dhe në koordinim të ngushtë me aleatët tanë.”, thotë Lidhja Demokratike e Kosovës.

Edhe kryetari dhe deputeti i AAK-së, Ramush Haradinaj ka kërkuar që dialogu të jetë në koordinim të ngushtë me SHBA-në dhe Evropën, derisa ka thënë se Asociacioni po përdoret për ta mbuluar marrëveshjen e madhe me Serbinë.

“Të gjithë ata që Asociacionin e paraqesin si çështje problematike, nuk e kanë hallin te asociacioni, por duan që asociacionin ta përdorin si “mbulesë” për ta kundërshtuar marrëveshjen e madhe. Këtë po e bën Serbia e fatkeqësisht këtë po e bën edhe Kryeministri i Kosovës. Kjo lojë politike duhet të marrë fund dhe Kosova duhet t’i fokusojë krejt potencialet politike, intelektuale e qytetare në kryetemën e saj që është “marrëveshja e madhe për njohje të ndërsjellë me Serbinë”, e cila mund të arrihet vetëm duke qenë të koordinuar ngushtë me SHBA dhe BE”, tha Ramush Haradinaj – Deputet i AAK-së.

Ndryshe, më 31 janar partitë politike në Kosove dhe shoqëria civile do të marrin pjesë në takimin e organizuar nga Ambasada Amerikane në Kosovë për të diskuar mbi modalitetet e krijimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.