Kontaktoni

info@gazeta10.com

10 LIVE

Bëhen bashkë zyrtarë politik e diplomatë të huaj, flasin për kompetencat e Asociacionit

Gazeta10
31 January 2023 - 19:34

Raporti: Egzona Shala/Kanal10

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë ka organizuar një diskutim me zyrtarë qeveritarë, përfaqësues të partive politike, diplomatë e përfaqësues të shoqërisë civile lidhur me Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Gjatë takimi i cili zgjati për rreth dy orë, u kërkua që vendi të zbatojë të gjitha marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut me Serbinë e u diskutua për mënyrën se si do të mund të funksionoi Asociacioni bazuar në kornizën ligjore të vendit.

Ambasada e SHBA-së në Kosovë, ka bërë bashkë zyrtarë shtetërorë, përfaqësues politikë, diplomatë e përfaqësues të shoqërisë civile, për të diskutuar rreth Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Në takimin e mbyllur për medie i cili zgjati për rreth dy orë u kërkua që vendi të zbatojë të gjitha marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut me Serbinë.

Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier tha se do të vazhdojnë të avokojnë për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut.

“Sot mbajtëm një diskutim në ambasadën amerikane në Prishtinë për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe. Mirënjohës ndaj palëve të ndryshme të interesuara të pranishëm për ndarjen e pikëpamjeve dhe ekspertizës së tyre. Ne vazhdojmë të avokojmë për zbatimin e të gjitha zotimeve të dialogut.”- Jeffrey Hovenier – Ambasadori i SHBA-së në Kosovë

Ndërsa, nga partitë më të mëdha opozitare në vend u tha se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe është kompetencë kushtetuese vetëm e institucioneve të vendit.

“PDK në vazhdimësi i ka dhënë mbështetjen e nevojshme dhe e ka inkurajuar Qeverinë për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse me Serbinë, ligjërisht dhe ndërkombëtarisht të obligueshme, me njohjen reciproke në qendër.”-  Partia Demokratike e Kosovës

Në lidhje me Asociacionin, LDK-ja vlerëson se kjo çështje është kompetencë dhe përgjegjësi kushtetuese vetëm e institucioneve të Republikës së Kosovës, në radhë të parë e Qeverisë.

Mirëpo, nga Partia Serbe e Kosovës thanë se Kosova duhet të mbështes interesat e popullit serb, derisa e cilësuan diskutimin e së martës si produktiv.

“Ajo cka është më rëndësishmja për të gjithë është se Asociacioni duhet të reprezentoj interesat e komunitetit serb në Kosovë. Qëndrimi jonë është se forma se si është nënshkruar Asociacioni nuk duhet të ngadalësojë ecjen më tutje të Kosovës, por të mbështes interesat e popullit serb.”

Millica Andriq Rakiq nga organizata Iniciativa e Re Sociale në Mitrovicë të Veriut, ka thënë se në takim u diskutua për mënyrën se si do të mund të funksionoi Asociacioni i komunave me shumicë serbe në kornizën ligjore të Kosovës në përputhje me marrëveshjen e Brukselit.

“Përfaqësuesit e institucioneve kishin qëndrimin e tyre që tashmë është publik, se ende nuk e kuptojnë nevojën e themelimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe dhe se plani i Ahtisaarit u përgjigjet nevojave të komunitetit. Kishte shumë diskutime rreth asaj se si do të zbatohet Asociacioni, çfarë kompetenca do të ketë, korniza ligjore e të tjera.”- Millica Andriq Rakiq – Organizata Iniciativa e Re Sociale në veri

Në diskutimin e organizuar nga Ambasada Amerikane, morën pjesë edhe zëvendëskryeministret Donika Gërvalla e Emilja Rexhepi, ministri i Shëndetësisë Arben Vitia, ajo e Arsimit, Arbërie Nagavci, e ai për Kthim dhe Komunitete Nenad Rashiq.

Një ftesë për këtë diskutim nuk e kishte pranuar edhe kryeministri Albin Kurti i cili gjatë ditës nuk komentoi organizimin e këtij takimi.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.