Kontaktoni

info@gazeta10.com

Duhet Lexuar

Serbët lokalë protestuan në Leposaviq

Gazeta10
02 February 2023 - 19:34

Raporti: Gentiana Gashi / KANAL10

Qytetar nga komuniteti serb kanë protestuar të enjten në Leposaviq. Ata kanë shprehur pakënaqësi ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për shpronësimin e disa tokave atje. Banorët kanë thënë se kjo është e paligjshme, derisa nga Lista Serbe kanë adresuar ankesë deri tek shtetet e QUNIT-it.Për këtë ka reaguar edhe BE-ja, e cila ka kërkuar të respektohen të gjitha proceset ligjore.

Serbët lokalë në Leposaviq, sërish u janë kthyer protestave, por kësaj here me ankesa të tjera.

Banorët e fshatrave Dren dhe Leshak të Leposaviqit kanë kundërshtuar vendimin e Qeverisë së Kosovës për shpronësimin e disa tokave, të cilat janë shpallur me interes publik.

Banorët serbë kanë thënë se aty po ndërtohet bazë e policisë kufitare të Kosovës, e që sipas tyre, një vendim i tillë i ekzekutivit është i paligjshëm.

“Nuk mjafton që makineritë janë fikur dhe puna është ndalur. Ne duam që makineritë dhe pjesëtarët e njësisë speciale të policisë të tërhiqen. Vendimi të anulohet dhe të na lënë të jetojmë jetën tonë të qetë siç kemi jetuar deri tani”.

Nga Policia Rajonale në Mitrovicë të Veriut kanë thënë se serbët lokalë kanë protestuar në Leposaviq, derisa detaje të tjera nuk kanë dhënë, pasi sipas tyre, një çështje e tillë është në kompetencë të nivelit qendror.

Për fillimin e punimeve në ato zona të Leposaviqit, është ankuar edhe Lista Serbe, e cila u ka shkruar ambasadorëve të shteteve të QUINT-tit.

“Letra tregon qartë shkeljen e të gjitha rregullave ligjore që rregullojnë çështjen e shpronësimit dhe se kjo procedurë është e papranueshme për pronarët e patundshmërive dhe popullin serb që jeton në veri të Kosovës”, thotë Lista Serbe.

E shqetësim lidhur me këtë kanë shprehur edhe nga Zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë.

BE-ja i kërkon Qeverisë së Kosovës që të bëjë të gjitha përpjekjet për të siguruar që të ndiqet procesi i duhur dhe se të drejtat e pronarëve të pronave të respektohen plotësisht”, tha Nikola Gaon- Zëdhënës i Zyrës së BE-së në Prishtinë.

Lidhur me këto zhvillime, Kanal10 ka dërguar pyetje edhe në Zyrën e Kryeministrit, se çfarë do të ndërmarrin lidhur me këtë çështje, por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje brenda ditës.

Ndryshe, Qeveria e Republikës së Kosovës, në mbledhjen e mbajtur më 16 janar të këtij viti ka miratuar vendimin për shpalljen me interes të veçantë publik të pronave të paluajtshme, të cilat janë të nevojshme për realizimin e “Projekteve Infrastrukturore për Interes Publik” , në Zonar Kadastrale Dren dhe Leshak të Leposaviqit.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.