
Raporti: Bleona Dallaveraj / KANAL10
Këshilli Gjyqësor i Kosovës nuk është pajtuar me vlerën e koeficientit të Ligjit të Pagave, sipas së cilit stafit të sistemit të drejtësisë do t’i ulen rrogat. Nga KGJK-ja kanë thënë se një gjë e tillë është e papranueshme për ta. Ndërkaq, nga SBASHK-u kanë thënë se presin që me rishikimin e buxhetit, pagat në sektorin e arsimit të rriten më shumë. E kritika për vlerën e koeficientit kanë vazhduar të adresojnë partitë opozitare në vend.
Ndërhyrje në sistemin e drejtësisë, e ka vlerësuar Këshilli Gjyqësor i Kosovës, uljen e pagave për gjykatës dhe prokurorë.
Caktimi i vlerës prej 105 euro dhe koeficienti në Ligjin e Pagave ka bërë që punëtorët e sistemit të drejtësisë, tash e tutje të paguhen më pak.
Sipas KGJK-së, një vendim i tillë është edhe kundërkushtetues dhe kundërligjor.
“Një ndërhyrje e tillë në sistemin gjyqësor, është në kundërshtim të plotë me dispozitat kushtetuese, ligjore si dhe standardet evropiane që u garantojnë gjyqtarëve një sistem të pagave të parashikueshëm dhe nuk lejojnë uljen e pagave. Për më tepër, një qasje e tillë ndaj gjyqësorit është në kundërshtim edhe me Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, Ligjin për Gjykatat, Qëndrimet e Komisionit të Venecias dhe Rekomandimet e Këshillit Konsultativ të Gjyqtarëve Evropian”, tha Këshilli Gjyqësor i Kosovës.
KGJK-ja ka shprehur shqetësimin që as Kuvendi dhe as Qeveria nuk kanë respektuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese për sigurimin e pacenueshmërisë së pagave të sistemit gjyqësor.
Një ditë më parë, pakënaqësi kanë shprehur edhe nga Këshilli Prokurorial i Kosovës.
Ndërkaq, nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës kanë thënë se vlera e koeficientit nuk është e mjaftueshme, por aktualisht nuk do të ankohen lidhur me pagat e mësimdhënësve.
Përfaqësues të SBASHK-ut kanë thënë se presin që me rishikimin e buxhetit pagat në sektorin e arsimit të rriten prapë.
Derisa, për caktimin e vlerës së koeficientit prej 105 euro, kanë vazhduar kritikat nga partitë opozitare, që sipas tyre, një vlerë e tillë nuk do të duhej të ishte së paku nën 120 euro.
Pakënaqësi me vlerën e koeficientit kanë adresuar edhe një numër i konsiderueshëm i sindikatave të sektorit publik, duke akuzuar ekzekutivin e vendit se nuk ka marr parasysh kërkesat e tyre, e as situatën aktuale, si pasojë e shtrenjtimit të çmimeve të shumë produkteve e shërbimeve.
Ndryshe, Ligji i Pagave pritet të hyjë në fuqi me 6 shkurt.