Kontaktoni

info@gazeta10.com

Duhet Lexuar

Qeveria vazhdon subvencionet e faturave të rrymës, premton shtesa edhe për mjekët

Gazeta10
08 February 2023 - 19:59

Raporti: Saranda Aliu/Kanal10

Qeveria e Kosovës ka ndarë 720 mijë euro për subvencionimin e faturave të energjisë elektrike për muajin janar. Derisa janë ndërmarrë edhe disa veprime për të parandaluar ikjen e mjekëve nga sektori publik shëndetësor. Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka treguar se mjekët që do të punojnë vetëm në sektorin publik do të marrin deri në 1800 euro.    

Qytetarët e Kosovës do të paguajnë më lirë faturën e energjisë elektrike edhe për muajin janar të këtij viti.

Kjo pasi ekzekutivi i vendit, në mbledhjen e së mërkurës, ka ndarë 720 mijë euro për t’ua lehtësuar qytetarëve pagesën e faturave të energjisë.

Ministri i Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka thënë se këto mjete janë në kuadër të subvencionimit të qytetarëve për ta kaluar krizën energjetike.

Ndërsa, për të ndaluar ikjen e mjekëve nga sektori publik shëndetësor, kabineti qeveritar ka marrë vendim që, 580 specializantë shëndetësorë gjatë gjithë vitit do të paguhen me vetëfinancim.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, teksa ka shprehur shqetësimin e tij për largimin e mjekëve nga Kosova, ka thënë se për mjekët specialistë që punojnë vetëm në sektorin publik do të miratojnë një rregullore për shtesa, që t’i stimulojnë për të qëndruar në sistemin shëndetësor kosovar.

Bashkë me ministrin Murati, në konferencë për media ka folur edhe ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci. Teksa ka folur për mos ndërtimin e shkollave dhe çerdheve të reja, Nagavci ua ka lënë fajin situatës me pandemi dhe mungesës së lokacioneve.

Gjatë mbledhjes, ekzekutivi miratoi edhe Projektligjet për ratifikimin e Marrëveshjeve të nënshkruara në kuadër të Procesit të Berlinit për Lëvizjen e Lirë me Letërnjoftime në Ballkanin Perëndimor, për Njohjen e Kualifikimeve Profesionale të Mjekëve, Stomatologëve dhe Arkitektëve dhe Njohjen e Kualifikimeve të Arsimit të Lartë në Ballkanin Perëndimor.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.