Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

“Magjia” e magjistrales Prishtinë-Mitrovicë

Gazeta10
09 February 2023 - 19:33

Raporti: Egzona Shala/Kanal10

As pas 14 vjetësh nuk njohin përfundim punimet në magjistralen Prishtinë-Mitrovicë. Kur pritej që mbase projekti i nisur në vitin 2009 të përfundonte, sërish është anuluar kontrata. Nga kompania punëkryese kanë thënë se Ministria e Infrastrukturës nuk i ka kryer pagesat dhe se jashtëligjshëm e ka anuluar kontratën. Kurse nga kjo ministri kanë thënë se kompania nuk i ka kryer afatet e parapara me kontratë. Derisa, këto të dyja ua kanë hedhur fajin njëra-tjetrës, qytetarët janë shprehur të zhgënjyer.

Punime, ndërprerje, anulim, zvarritje, pluhur, pritje, kolona, zhgënjim e torturë.

Këto janë disa prej ndodhive më të pabesueshme në një nga rrugët që nuk njeh përfundim, as pas më shumë se një dekade.

Ekskavatorët në magjistralen Prishtinë-Mitrovicë më shumë kanë qëndruar ndal, sesa duke punuar për ta kryer një projekt që ka nisur në vitin 2009.

Megjithëse, ishte paraparë që rruga të përfundojë të paktën në vitin 2021, një gjë e tillë nuk ka ndodhur, madje as gjatë vitit 2022.

E kur pritej që punimeve t’u shihej fundi, kontrata për këtë projekt është anuluar nga Ministria e Infrastrukturës, Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Qytetarët që për çdo ditë duhet t’ durojnë krejt dëmet që kjo rrugë u shkakton atyre, janë shprehur të zhgënjyer që punimet sërish janë ndalur.

Kompania punëkryese “Pevlaku&Patishta” nuk e ka mirëpritur anulimin e kontratës nga Ministria e Infrastrukturës, duke e cilësuar një gjë të tillë si vendim të njanshëm dhe të kundërligjshëm.

Nga kjo kompani, kanë thënë për Kanal10 se Ministria nuk iu ka përfillur rregullave të kontratës dhe se ka mbetur mbrapa me pagesat, duke mos realizuar as shpronësimet.

E një gjë të tillë e kanë mohuar nga Ministria e Infrastrukturës.

Zëvendësministri, Hysen Durmishi ka thënë se shpronësimi është kryer në shkurt të vitit të kaluar, derisa sipas tij, ky dikaster i është përmbajtur kontratës.

Ai ka thënë se kompania nuk e ka realizuar kontratën, prandaj edhe e njëjta është anuluar.

Anulimin e kontratës për magjistralen Prishtinë-Mitrovicë e kanë parë me shqetësim edhe nga organizatat e shoqërisë civile.

Qëndrim Arifi nga Iniciativa për Progres ka përmendur disa faktorë që mund të kenë ndikuar te prishja e kontratës dhe përballjet e palëve që mund t’i kenë në institucionet e drejtësisë.

Qytetarët e tri komunave, ishin gëzuar shumë kur në vitin e largët 2009, kishin nisur punimet për zgjerimin e magjistrales Prishtinë-Vushtrri-Mitrovicë.

Por, as pas 14 vjetësh, kjo rrugë nuk ka përfunduar, derisa tabelat vazhdojnë të vendosen me ndryshim të afateve.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.