
Raporti: Gentiana Gashi/Kanal10
Deputetët e Kuvendit kanë miratuar Projektligjin për byronë shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, bashkë me 33 amendamentet shtesë. Opozita ishte e ndarë rreth këtij projektligji. LDK-ja e mbështeti, derisa PDK-ja, paralajmëroi se të njëjtin do ta dërgojë në Kushtetuese, pasi konsiderojnë së cenohen në esencë liritë dhe të drejtat e garantuar me aktin me të lartë juridik në vend.
Me 66 vota për, deputetët e Kuvendit kanë miratuar të enjten në lexim të dytë Projektligjin për byronë shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, së bashku me 33 amendamente shtesë.
Këtë projektligj, e mbështetën edhe deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Derisa, Partia Demokratike e Kosovës, paralajmëroi se të njëjtin do të dërgojë në Gjykatën Kushtetuese.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se qëllimi i këtij projektligji nuk është goditja e askujt.
Deputeti i LVV-së, Adnan Rrustemi, tha ky projektligj përmban gjitha shqetësimet që janë ngritur gjatë shqyrtimit në lexim të parë.
Deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili, tha se byroja le të bëhet, por jo në kurriz të politizimit.
Kundër këtij projektligji kanë qenë deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës. Deputeti i kësaj partie, Hajdar Beqa, ka paralajmëruar se këtë projektligj do ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese.
Në seancën e sotme, deputetët e Kuvendit kanë shqyrtuar dhe miratuar edhe projektligjin për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar dhe një mori projektligjesh tjera.