
Raporti: Saranda Aliu/Kanal10
Numër i vogël i aplikimeve pretendohet të jetë bërë në konkursin për zyrtarë policorë për komunat veriore të vendit. Ky konkurs që ishte paraparë të përfundonte të premten, nuk dihet nëse i njëjti do të vazhdojë të jetë i hapur. Nga shoqëria civile kanë thënë se vetëm gjashtë persona kanë aplikuar në këtë konkurs, derisa nga MPB-ja nuk kanë dhënë detaje.
Ministria e Punëve të Brendshme nuk ka bërë të ditur numrin e aplikantëve në konkursin për zyrtarë policorë për katër komunat veriore të vendit.
Konkursi ka qenë i paraparë të jetë i hapur deri të premten, por ky dikaster qeveritar nuk ka treguar nëse do të zgjatet afati, apo nëse ai është mbyllur.
Kanal10 gjatë ditës ka dërguar pyetje në MPB, mirëpo zyrtarë të saj nuk kanë kthyer përgjigje për numrin dhe nëse pati aplikantë edhe nga komunitetet e tjera.
Ndërkohë, ministri Xhelal Sveçla, në një prononcim për Radio Kosovën, është shprehur i lumtur me numrin e aplikimeve në këtë konkurs, megjithëse shifrat nuk i ka përmendur.
“Mund të them lirisht se jam i kënaqur me përgjigjen që kemi marrë. Ky konkurs do të jetë në vazhdimësi i hapur derisa nuk plotësohen të gjitha vendet. Por, tani për tani jam shumë i kënaqur me përgjigjen që kemi marrë për sa i përket aplikimeve.” – Xhelal Sveçla – Ministër i Punëve të Brendshme
Megjithatë, nga Instituti për Afirmimin e Marrëdhënieve Ndëretnike, kanë thënë se deri para pak ditësh për policë kanë aplikuar vetëm gjashtë persona.
Për të rritur numrin, sipas këtij instituti, autoritetet e Kosovës u kanë dhënë mundësi që disa zyrtarë policorë nga komuniteti serb e të cilët akuzohen për korrupsion të lirohen nga këto akuza e të rikthehen në punë.
Ndërsa, njohësit e sigurisë kanë thënë se deri në arritjen e një vendimi politik mes Kosovës dhe Serbisë, numri i aplikantëve do të vazhdojë të jetë i vogël.
Në fund të vitit të kaluar, rreth 600 policë serbë kanë dhënë dorëheqje, pas zhvillimeve në veri të vendit që pasuan vendimin e Qeverisë së Kosovës për targat ilegale serbe.
Tashmë, në stacionet e policisë në komunat veriore ka mbetur numër i vogël i zyrtarëve policorë shqiptarë, shumica prej tyre janë transferuar nga rajonet e tjera.