
Raporti: Bleona Dallaveraj /Kanal10
Ministri i Financave, Hekuran Murati ka njoftuar se pas lansimit të platformës “Superpuna”, javën e kaluar, deri më tash janë paraqitur njëmijë punëkërkues. Derisa, nga Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat thonë se kjo praktikë nuk do sjellë efekt dhe se paratë e buxhetit të shtetit po shfrytëzohen kot. Kritikë ndaj kësaj praktike janë shprehur edhe njohës të ekonomisë.
Mbi njëmijë persona janë regjistruar brenda një jave në platformën “Superpuna”, e hapur nga Qeveria e Kosovës.
Sipas ekzekutivit të vendit, përmes këtij aplikacioni, interesimi i të rinjve për t’u punësuar po rritet vazhdimisht.
Me këtë platformë, synohet punësimi i 10 mijë të rinjve, të cilëve Qeveria do t’ua subvencionojë pagën mujore prej 264 eurosh, për një periudhë gjashtëmujre.
“Që në javën e parë pas lansimit, kemi mbi 1 mijë punëkërkues të regjistruar dhe verifikuar në platformën Superpuna! Të gjithë të rinjtë e moshës 18-25 vjeç që janë në kërkim të një vendi pune, kanë mundësinë të regjistrohen dhe të gjejnë një vend pune me pagë të garantuar nga shteti.”, ka deklaruar Hekuran Murati – Ministër i Financave, Punës dhe Transfereve.
Por, një praktikë të tillë të punësimit nuk është duke e përkrahur Sindikata e Punëtorëve të Sektorit Privat.
Kryetari i kësaj sindikate, Jusuf Azemi, ka thënë se kjo platformë do të jetë e paefektshme dhe se sipas tij, pas gjashtë muajsh gjithçka do të kthehet në pikën zero.
Platforma “Superpuna” është kritikuar edhe nga njohës të ekonomisë, pasi sipas tyre një praktikë e tillë nuk do të mund të zbusë papunësinë.
Kjo platformë është krijuar nga Qeveria në kuadër të skemës së Punësimit të Garantuar për të Rinjtë.