
Raporti: Saranda Alshiqi / Kanal10
Banorët e një pjese të rrugës “Aze Brahimaj” në Gjakovë, po ndihen të diskriminuar nga komuna, pasi rruga e nisur tre muaj me parë nuk përfundojë në tërësi. Nga 400 metra sa ka kjo rrugë, vetëm 300 metra u shtruan me asfalt, ndërsa pjesa tjetër mbeti në zhavorr. Banorët thonë se nuk i dinë arsyet, derisa kompania punë-kryese nuk ka dhënë detaje, porse ka premtuar përfundimin e saj.
Iu gëzuan fillimit të punimeve për asfaltimin e rrugës e cila do të përmirësonte infrastrukturën në lagjen e tyre. Por, banorët e rrugës “Aze Brahimaj” në Gjakovë, nuk menduan se ajo do të mbetej e papërfunduar.
Kjo rrugë e cila ka gjatësi vetëm 400 metra, edhe pse nisi të rregullohej tre muaj më parë, nuk u krye në tërësi. 100 metra të kësaj rruge mbetën në zhavorr, pa u asfaltuar.
Mospërfundimi i rrugës, po ua sjell probleme në qarkullim, qytetarëve të cilët jetojnë në këtë lagje, derisa thonë se janë diskriminuar.
Banorët thonë se shkuan edhe në komunë për të marrë një përgjigje lidhur me mospërfundimin e kësaj rruge.
Ndërsa, menaxheri i këtij projekti, Rexhë Rexha, thotë se rruga do të përfundojë, porse pa dhënë detaje pse nuk është kryer.
“Në atë rrugë janë 400 metra, patjetër se do të vazhdoj edhe pjesa tjetër e të përfundoj, siç edhe është paraparë në kontratë.”, tha Rexhë Rexha – Menaxher i projektit.
Në rrugën “Aze Brahimaj” jetojnë dhjetëra shtëpi, derisa në pjesën e cila mbeti në zhavorr dhe e papërfunduar janë rreth 10 shtëpi.