
Raporti: Gentiana Gashi / Kanal10
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në seancën e jashtëzakonshme për dialogun, bëri me dije se në janar, i ishte propozuar nga emisarët e BE-së, një propozim franko-gjerman që ishte e tipit “merre ose leje”. Deputetët opozitarë e fajësuan Kurtin se Asociacioni është bërë kusht para marrëveshjes finale, derisa kritika e akuza kanë hedhur për mungesë të transparencës.
Mosmarrëveshje për marrëveshjen finale me Serbinë kanë shfaqur partitë politike në Kuvendin e Kosovës.
Në seancën e së hënës, legjislativi i vendit ka diskutuar për procesin e dialogut, me kritikat dhe akuzat e opozitës se Qeveria Kurti, ka dështuar përballë kërkesave të Serbisë.
Iniciuese këtij debati parlamentar, ka qenë Partia Demokratike e Kosovës, kryetari i së cilës, Memli Krasniqi ka shtruar një sërë pyetjesh për kryeministrin e vendit, Albin Kurti, lidhur me propozimin franko-gjerman dhe pse sipas tij, nuk po shkohet drejt një marrëveshjeje finale.
Sa i përket kritikave rreth planit franko-gjerman, shefi i Qeverisë, Albin Kurti ka thënë se në janar faktori ndërkombëtar ia ka ofruar këtë propozim me mundësinë “merre ose leje”.
Por, një deklaratë të tillë të Kurtit, kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, e ka a quajtur të paqartë dhe kontroverse.
Sipas tij, nuk mund të pranohet diçka si bazë e mirë nëse është e mundësisë ‘merre ose leje’.
Ndërkaq, për AAK-në plani franko-gjerman është i pranueshëm dhe sipas kryetarit të saj, Ramush Haradinaj, marrëveshja finale me Serbinë duhet të ndodhë tani.
Themelimin e Asociacionit, PDK-ja e ka parë si rezultat të veprimeve të gabuara të Kurtit në veri, për çka kanë thënë se tashmë një mekanizëm i tillë është duke u kërkuar para marrëveshjes finale.
Por, kritikat mes pozitës dhe opozitës nuk u ndalën me kaq, shefi i grupit parlamentar i LDK-së, Arben Gashi, u përplas me Kurtin duke e cilësuar si të dobët, e ky i fundit e quajti të papjekur deputetin.
Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka përsëritur qëndrimin e tij se Asociacioni nuk mund të themelohet pa plotësimin e gjashtë kushteve të tij, për çka ka kërkuar të opozitës.
Derisa nga partitë opozitare kanë hedhur kritika e akuza të tjera për qasjen e Qeverisë karshi dialogut, mungesën e transparencës, si dhe moskoordinimin me faktorin ndërkombëtar.