Kontaktoni

info@gazeta10.com

Duhet Lexuar

Importet nga Serbia, përplasen LDK-VV

Gazeta10
13 February 2023 - 19:54

Raporti: Kanal10

Lëvizja Vetëvendosje dhe LDK-ja kanë akuzuar njëra-tjetrën për shifrat e importeve nga Serbia. Derisa, nga LDK-ja kanë thënë se gjatë qeverisjes së Albin Kurti importi nga shteti serb ka shkuar në mbi 370 milionë euro, nga Vetëvendosje kanë thënë se një rekord më të madh e mban LDK-ja, në kohën kur Isa Mustafa ishte kryeministër i vendit.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka vazhduar me publikimin e të dhënave të ndryshme kundër partisë në pushtet.

Sipas LDK-së, përmes këtyre publikimeve po shpërfaqen mashtrimet që sipas saj, Lëvizja Vetëvendosje ua ka bërë qytetarëve të Kosovës.

Sipas kësaj partie opozitare, Vetëvendosje kishte premtuar reciprocitet me Serbinë, porse sipas saj, realiteti është se ka pasur rekord të importit nga ky vend.

“Nga ‘Reciprociteti me Serbinë çështje ditësh’, në 371 milion euro import nga Serbia. Kosova meriton më mirë!”, tha Lidhja Demokratike e Kosovës.

Por, LDK-së i janë përgjigjur nga Lëvizja Vetëvendosje.

Nga partia në pushtet kanë publikuar shifra tjera, që sipas saj, importi nga Serbia ishte më i lartë në kohën kur me ekzekutivin qeveriste LDK-ja.

Sipas VV-së, gjatë qeverisjes PDK-LDK, me kryeministër Isa Mustafën, është shënuar rekord i importeve nga Serbia.

“Përveçse ndër vendimet e para të kryeministrit nga LDK, Avdullah Hoti, ishte heqja e reciprocitetit me Serbinë, ata mbajnë edhe një rekord tjetër. Në kohën e qeverisjes PDK-LDK, me kryeministër Isa Mustafën është rekordi i importeve nga Serbia. Në vitin 2017 sipas të dhënave zyrtare vlera e importit nga Serbia ishte 449.3 milionë euro.”, ka shkruar Arlind Manxhuka – Zëdhënës i Lëvizjes Vetëvendosje.

Sidoqoftë, që nga paslufta, importi i mallrave serbe në Kosovë gjithmonë ka qenë i lartë.

Kohëve të fundit, është zhvilluar një fushatë për bojkotimin e produkteve serbe, por që ato vazhdojnë të shiten në shumë dyqane në Kosovë.

Nga Rubrika
Lajme
15 August 2026

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.