
Raporti: Kanal10
PDK-ja është ende duke e shqyrtuar mundësinë e dërgimit në Gjykatën Kushtetuese të Ligjit për Byronë Shtetërore për verifikimin dhe konisfikimin e pasurisë së pajustifikueshme. Por, nga Lëvizja Vetëvendosje kanë thënë se me kundërshtimet e saj,. PDK-ja po dëshiron ta shlyejnë barrën e së kaluarës. Ndërkaq, nga AAK-ja kanë thënë se VV-ja këtë nismë ligjore po e përdor për mesazhe politike.
Lëvizje Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës kanë adresuar kritika ndaj njëra-tjetrës për Projektligjin e Byrosë Shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së paligjshme.
Me paralajmërimin e PDK-së që këtë nismë ligjore ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese, nuk janë pajtuar nga partia në pushtet.
Shefja e deputetëve të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari Lila ka thënë se arsye për një hap të tillë të PDK-së vjen nga barra që ajo ka nga e kaluara.
Ajo ka thënë se një nismë e tillë ligjore është e domosdoshme në luftën ndaj krimit dhe korrupsionit.
Ndërkaq, shefi i deputetëve të PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se brenda afateve ligjore do të shikohet nëse ky subjekt politik do ta dërgojë këtë projektligj në Kushtetuese.
Kurse, shefi i deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thnë se Byroja shtetërore ka pasur probleme serioze dhe se sipas tij, partia në pushtet e ka shfrytëzuar për të përçuar mesazhe politike.
Para katër ditësh, Kuvendi i Kosovës me 66 vota për, ka miratuar në lexim të dytë Projektligjin për byronë shtetërore për verifikim dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, së bashku me 33 amendamente shtesë.
Përveç deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, mbështetje i kanë dhënë edhe deputetët opozitarë të LDK-së, ndërkaq PDK-ja ka paralajmëruar se të njëjtin do të dërgojë në Gjykatën Kushtetuese.