
Raporti: Gentiana Gashi/Kanal10
Janë bërë dy vjet nga fitorja e Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 14 shkurtit të vitit 2021. Derisa, nga partia në pushtet kanë listuar të arriturat, nga opozita kanë hedhur kritika ndaj ekzekutivit për dështime në shumë fusha. Gjithashtu, kritika janë hedhur edhe nga organizata të shoqërisë civile.
“I keni dhënë kurajo dhe shpresë një kombi të tërë”
Në këtë formë, Albin Kurti po e kumtonte fitoren e Lëvizjes Vetëvendosje, dy vjet më parë.
Subjekti që ai drejtonte, së bashku edhe me Listën “Guxo” të Vjosa Osmanit, më 14 shkurt të vitit 2021, shënuan fitoren më të thellë në histori të Republikës së Kosovës.
Megjithëse dikur rival politik, binomi Kurti-Osmani do ta kishin të gjithë pushtetin për vete, për shkak të mbi 50% të votave që morën në zgjedhjet e jashtëzakonshme.
Për këtë fitore të madhe, edhe pritjet e qytetarëve ishin të mëdha.
Por, sipas opozitës, pas dy viteve, qytetarët ndihen të mashtruar nga Qeveria Kurti.
Deputetë opozitarë kanë renditur disa prej arsyeve, që sipas tyre, ekzekutivi i vendit nuk ka shënuar asnjë progres gjatë kësaj periudhe.
Ndërkohë, kritika ndaj Qeverisë Kurti kanë shprehur edhe organizata e shoqërisë civile.
Me gjithë vlerësimet pozitive sa i përket luftimit të krimit dhe të korrupsionit dhe disa nismave ligjore, sistemi i drejtësisë sipas monitoruesve, vazhdon të mbetet i brishtë, më qasjen e ekzekutivit kardhi këtij sektori.
Për gjatë kësaj periudhe në krye të institucioneve të vendit, Qeveria e Kosovës ka renditur rezultatet që sipas saj i ka shënuar, duke përmendur rritjen ekonomike, menaxhimin e krizave, shpërndarjen e subvencioneve, disa masa në kuadër të ringjalljes ekonomike, e veprime të tjera.
Gjithashtu, si hapa pozitivë, ekzekutivi ka përmendur edhe rezultatet në luftimin e krimit dhe të korrupsionit, si dhe vlerësimet pozitive që janë adresuar në disa raporte vendore e ndërkombëtare për shkallën e demokracisë.