Kontaktoni

info@gazeta10.com

Sport

Barcelona përfundon nën akuza, ia pagoi 1.4 milion euro zëvendëspresidentit të Komitetit Teknik të Referëve

Gazeta10
15 February 2023 - 15:14

Ish-gjyqtari i futbollit José María Enríquez Negreira ishte nënkryetar i Komitetit Teknik të Gjyqtarëve të Federatës Mbretërore të Futbollit Spanjoll nga viti 1994 deri në 2018.

Dhe midis viteve 2016 dhe 2018, sipas një hetimi të bërë nga Prokuroria e Barcelonës, klubi i futbollit Barcelona e kishte paguar shumën prej 1,4 milion eurosh për DASNIL 95 SL, një kompani në pronësi të ish-gjyqtarit në fjalë.

Këto informacione i ka zbuluar programi “Qué t’hi jugues”, që vepron në kuadër të mediumit “SER Catalunya”, përcjell Gazeta10.

Negreira ishte po ashtu refer në kategorinë e parë spanjolle për 13 sezone.

Sipas këtij programi radiofonik, Barça ia kishte paguar kompanisë DASNIL 95 SL, 532,728.02 euro në vitin 2016, 541,752 më 2017 dhe 318,200 euro në vitin 2018.

Hetimi ka nisur si rezultat i një kontrolli tatimor të kompanisë së lartpërmendur për taksimin e 4 milionë eurove.

Enríquez Negreira dhe djali i tij kanë dëshmuar tashmë në Prokurori.

Ish-zëvendëspresidenti i Komitetit Teknik të Gjyqtarëve ka siguruar se nuk ka pasur asnjëherë trajtim të favorshëm për ekipin e Barçës dhe se këto pagesa, për të cilat ai nuk ka lëshuar fatura, kanë qenë për shkak të punës këshillimore, e cila konsistonte në shpjegimin e lojtarëve se si duhej të silleshin gjatë takimeve/përballjeve me gjyqtarët e futbollit.

Ai gjithashtu u dha atyre rekomandime se çfarë mund të bënin ose nuk mund të bënin në varësi të faktit se kush ishte gjyqtari që do ta drejtonte ndeshjen, përcjell “Gazeta Express”.

Megjithatë, siç thuhet në deklaratën e Negreira para Agjencisë së Tatimeve, ish-zëvendëspresidenti i Komitetit Teknik të Gjyqtarëve “nuk ka ofruar asnjë dokument që vërteton se i ka ofruar një shërbim Barcelonës”.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.