
Raporti: Sara Aliu / Kanal10
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka takuar kancelarin gjerman Olaf Scholz, në kuadër të punimeve të konferencës për Siguri që po mbahet në Mynih. Temë qendrore e takimit ishte dialogu me Serbinë dhe plani franko-gjerman, të cilin kryeministri kosovar ia konfirmoi Sholzit se e ka pranuar.
Dialogu mes Kosovës e Serbisë dhe plani evropian për arritjen e marrëveshjes përfundimtare mes dy vendeve, ka qenë temë e diskutimeve në takimet e kryeministrit Albin Kurti me liderë evropian në Mynih.
Kreu i ekzekutivit kosovar ia ka konfirmuar pranimin e planit franko-gjerman, kancelarit Olaf Scholz, gjatë takimit në kuadër të konferencës për siguri, që po mbahet në Mynih.
“U fol për raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për përgatitjet për takimin e radhës në Bruksel, si dhe për propozimin evropian për normalizim të marrëdhënieve, të pranuar tashmë si bazë e mirë për diskutime të mëtejme dhe kornizë solide për të ecur përpara. Duke i falënderuar për mbështetjen e vazhdueshme dhe angazhimin e drejtpërdrejtë të Gjermanisë dhe Francës, Kurti tha se Republika e Kosovës, si vend pro-evropian dhe pro-amerikan, mbetet e përkushtuar dhe konstruktive në dialog teksa dëshiron marrëdhënie të mira fqinjësore dhe integrim në BE dhe NATO”.
Kreu i ekzekutivit kosovar në kuadër të kësaj konference ka zhvilluar takime edhe me senatorët amerikan Jeanne Shaheen dhe Chris Van Hollen.
“Në takim u diskutua për situatën e sigurisë në Ballkanin Perëndimor dhe zhvillimet e fundit në rajon. Sa i përket dialogut për normalizim të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë dhe për propozimin evropian, kryeministri Kurti theksoi angazhimin konstruktiv dhe të vazhdueshëm të Kosovës në këtë proces”.
Në përpjekje për t’i përafruar palët për arritjen e një marrëveshje, sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken, ka takuar presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, me të cilin tha se ka pasur një bisedë konstruktive.
“Ne diskutuam rëndësinë e normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën. Unë e vlerësojë mbështetjen e vazhdueshme të Serbisë për Ukrainën”.
Edhe përfaqësuesit e Bashkimit Evropian, Josef Borrell dhe i dërguari për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, kanë intensifikuar takimet në Mynih, para takimit mes Kurtit dhe Vuçiqit në Bruksel.
Pas takimit me Borrellin e Lajçakun, Vuçiqi tha se po i bëhet shumë presion Serbisë për t’i vendosur sanksione Rusisë.
“Bisedë me Josep Borell dhe përgatitje për vazhdimin e dialogut Beograd-Prishtinë. Serbia kritikohet ashpër se nuk ka vendosur sanksione ndaj Federatës Ruse. Bisedimet do të vazhdojnë së shpejti”, tha ai.
Tashmë është konfirmuar takimi i radhës mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq, në Bruksel, me 27 shkurt.