
Raporti: Saranda Aliu / Kanal10
Familja Kryeziu në Prizren, më në fund është pajtuar t’i rrënohet shtëpia, për të mundësuar vazhdimin e punimeve të transitit që lidhë Prishtinën me Gjakovën. Nga komuna janë shprehur të lumtur që pas dhjetë vitesh negociata kanë arritur marrëveshje me këta të fundit. Ndërsa, nga familja Kryeziu kanë thënë se zgjatja e këtyre punimeve ka ndodhur si pasojë e mos kompensimit të duhur.
Shtëpia që për 10 vite e pamundësoi vazhdimin e punimeve në rrugën e transitit Prishtinë-Gjakovë, këtë të shtunë u rrënua.
Pas shumë negociatash me pushtetin lokal të Prizrenit, pronari i kësaj shtëpie ua lëshoi hapësirën punimeve të këtij projekti.
Lirimi i këtij segmenti rrugor u mirëprit nga kryetari i komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, i cili tha se përmes saj do të lehtësohet qarkullimi në trafik.
Familjarët e kësaj shtëpie, kanë thënë se vazhdimisht janë ndjerë të shqetësuar për mos lirimin e kësaj rruge, megjithatë sipas tyre, zgjatja e këtij problem ka ardhur si pasojë e mos kompensimit të duhur për rrënim të shtëpisë.
Nga komuna kanë thënë se projekti i nisur nga viti 2013, pritet të përfundoj brenda 6 muajsh.
Deri te zgjidhja e këtij problemi, javë më parë anëtarë të familjes Kryeziu kishin kërcënuar të parin e komunës së Prizrenit, të cilët nga Policia u ndaluan për 48 orë e më pas u liruan.