Kontaktoni

info@gazeta10.com

Duhet Lexuar

Nesër intervistohet Haki Abazi, opozita kërkon që të merren në pyetje edhe Kurti e Haxhiu

Gazeta10
20 February 2023 - 19:56

Raporti: Gentiana Gashi/Kanal10


Avokati i familjes Dehari, Tomë Gashi ka njoftuar se të martën do të bëhet intervistimi i deputetit Haki Abazi, pas deklaratave se ekzistojnë video-incizime për zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit. Nga opozita kanë kërkuar që për intervistim të thirren edhe kryeministri Kurti dhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Për deklaratat e së enjtes, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi, do të intervistohen të martën në Prokurorinë Speciale të Kosovës.

Ai do të merret në pyetje lidhur me pretendimet se ekzistojnë video-incizime për zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit nga Instituti i Mjekësisë Ligjore.

Kanal10 ka tentuar të marr një përgjigje nga deputeti Abazi, por ai nuk ka pranuar të flasë lidhur me këtë, përveç asaj që ka thënë në konferencën e së enjtes.

E gjatë marrjes në pyetje të deputetit Abazi, përfaqësuesi ligjor i familjes Dehari, avokati Tomë Gashi, ka kërkuar të jetë i pranishëm.

Gashi ka thënë se për pretendimet e deputetit Abazi, nuk ka nevojë të thirren për intervistë kryeministri i vendit, Albin Kurti dhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Kanal 10 ka kërkuar të dijë nga Prokuroria Speciale nëse dy të përmendurit nga deputeti Abazi, kryeministri Kurti dhe ministrja Haxhiu do të ftohen për t’u intervistuar lidhur me këtë rast, por nga PRSK-ja nuk kanë kthye përgjigje.

Por, vetëm nga kabineti i ministres së Drejtësisë, kanë bërë të ditur se Haxhiu është intervistuar me 18 janar për zhdukjen e mostrave, dhe nëse është nevoja do ta bëjë përsëri.

“Siç e dini, Ministrja Haxhiu e ka raportuar këtë rast në Prokurori. Me 18 janar e ka dhënë dëshminë e saj. Për këtë ka njoftuar edhe publikisht e poashtu, do të jetë e gatshme për të dhënë dëshminë e saj sa herë që e kërkojnë institucionet” -Genc Nimoni – Këshilltar në Ministrinë e Drejtësisë

Lidhur me zhdukjen e mostrave të rastit Dehari, sqarim publik nga Kurti e Haxhiu kanë kërkuar nga Partia Demokratike e Kosovës.

Koordinatori për Drejtësi nga ky subjekt politik, Përparim Gruda, i ka bërë thirrje organeve të drejtësisë, që të ftohen për intervistim edhe Kurti e Haxhiu.

Edhe deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili, ka kritikuar qeverinë për heshtje ndaj rastit të Deharit.

“Me këtë zhdukje të mostrave, ky rast mund të mos zgjidhet më kurrë! Dikush nuk deshti që ky rast të zgjidhet! Kush, nuk e di, por di që e gjithë kjo po ndodh TANI! Në këtë qeverisje! Por, sot qeverisë nuk po i pengon kthimi i zyrtarëve të IML-së. Nuk po i pengojnë ditët që po kalojnë pa u gjetur mostrat. Sot diçka ka ndryshuar. Duken më të qetë. Sikur më në fund, ajo që ndryshoi, po i jep qetësi, edhe në qoftë se kjo nënkupton që nuk do të ketë kurrë drejtësi!”

Nëse deklaratat e Abazit do t’i kushtojnë me përjashtim nga grupi parlamentar i Vetëvendosjes, nuk ka treguar shefja e deputetëve të partisë në pushtet, Mimoza Kusari-Lila.

Pas zhdukjes së mostrave më 8 dhjetor të vitit të kaluar, Ministria e Drejtësisë ka suspenduar katër zyrtarë në laboratorin e toksikologjisë në IML.

Derisa, të dielën në mbrëmje është bërë e ditur se të njëjtit janë rikthyer në punë.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.