‘Injorimi’ që sekretari amerikan Antony Blinken i bëri kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentes, Vjosa Osmani duke mos u takuar në Mynih, ndërkohë që takoi përfaqësues të palës serbe ka trazuar ujërat në opinionin publik, duke e parë si një zbehje të raporteve të Kosovës me aleatin e saj më të madh, ShBA-në.
Për këtë ‘’injorim’’ të udhëheqëseve tanë në “Politiko”, analisti Arben Ahmeti tha se është një mesazh nga ShBA-ja që Qeveria Kurti të tregoj më shumë konstruktivitet në dialog, raporton Gazeta10.
“Natyrisht që do doja që të hënën të ketë marrëveshje, por për të mbërri deri tek marrëveshja duhet të ketë një proces bukur të konsolidimit të brendshëm të përgjigjes që do t’i japim miqve ndërkombëtarë. Mendoj se jemi larg nga marrëveshja, nuk flitet për marrëveshje. Tani ajo çfarë duhet të nis debat të brendshëm është zbehja e marrëdhënieve me SHBA-të, kryesisht mesazhi diplomatik që na jep sekretari amerikanë. Kjo para 10 viteve do të ishte e pa imagjinueshme, që një diplomat, sekretar i SHBA-ve, ku në të njëjtën hapësirë, konferencë takon përfaqësuesin e Serbisë dhe jo ata të Kosovës. Kjo nuk është e rastësishme, por është mesazh i qartë që i jepet Qeverisë Kurti, palës kosovare që duhet të tregojnë konstruktivitet në dialog.”, ka thënë Ahmeti.
Tutje, Ahmeti ka thënë se edhe opozita edhe mediat ta ndihmojnë, Kurtin dhe Osmanin ta tejkalojnë këtë vështirësi dhe të mos i prishin marrëdhëniet me SHBA-të, sepse “nuk po flasim për një moment që do të kalojë pa pasoja për Kosovën”./Gazeta10