Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Kurti e Vuçiq do të diskutojnë për propozimin evropian për normalizim të marrëdhënieve

Gazeta10
22 February 2023 - 19:04

Raporti: Arbenita Ilazi / Kanal10

Është bërë publike agjenda e takimeve të 27 shkurtit në Bruksel, ndërmjet liderëve të Kosovës dhe Serbisë. Zyrtarët evropianë, fillimisht do të zhvillojnë takime të ndara me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiq. Temë e diskutimit do të jetë propozimi evropian për normalizimin e raporteve ndërmjet të dyja vendeve. Nga ky takim, presin rezultate edhe njohës të zhvillimeve politike. 

Bashkimi Evropian ka bërë zyrtare agjendën e takimit të 27 shkurtit ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Kurti e Vuçiq në Bruksel do të diskutojnë për propozimin evropian për normalizim të raporteve ndërmjet të dyja vendeve. 

Siç bëhet e ditur në faqen zyrtare të Zyrës për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borell dhe Miroslav Lajçak fillimisht do të zhvillojnë takime të ndara me Kurtin e Vuçiqin.

“Takimi do të fokusohet në propozimin e BE-së për normalizim të raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë”, tha Bashkimi Evropian.

Ndërkombëtarët presin afrim të qëndrimit të palëve drejt një marrëveshjeje që mundëson normalizimin e raporteve.

Si rrugë për arritjen e këtij synimi, shihet plani franko-gjerman, apo siç njihet ndryshe propozimi evropian.

“Propozimi mund të nxisë procesin e normalizimit në të mirë të qytetarëve të tyre. Ai mund t’i largojë pengesat në rrugën e mëtejme drejt integrimit evropian dhe zhvillimit ekonomik. Ai saktësisht mund të jetë një nxitje politike dhe ekonomike për tërë rajonin e Ballkanit Perëndimor, që po mbahet peng nga kjo çështje e pazgjidhur. Të gjitha vendet anëtare shpresojmë që Serbia dhe Kosova ta zënë këtë shans unik dhe historik.”, tha Anna Luhrmann – Ministre e Shtetit të Gjermanisë.

Edhe Ministrja e Punëve të Jashtme të Sllovenisë, Tanja Fajon, ka thënë se është një moment i rëndësishëm që Kosova dhe Serbia t’i japin rrugë dialogut.

“Mendoj se është shumë e rëndësishme që të dyja palët të ushtrojnë njëfarë përmbajtje. Ne duhet të bëjmë gjithçka që dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të vazhdojë. Kosova me të vërtetë duhet të bëjë përpjekje për të krijuar Asociacionin e komunitetit serb dhe për të siguruar integrimin dhe mirëqenien e popullit të komunitetit serb. Kur bëhet fjalë për propozimin e BE-së, e kuptoj se bëhet fjalë për vendime politike jashtëzakonisht të vështira me shumë pasoja të mundshme. Megjithatë, shpresoj se si Beogradi ashtu edhe Prishtina, në krye me politikanët e tyre, do ta gjejnë një mënyrë për ta kapur këtë moment. Sepse është e vështirë të thuash se kur do të shfaqet një mundësi e re.”, tha Tanja Fajon – Ministre e Punëve të Jashtme të Sllovenisë.

Për dallim prej herëve të kaluara, njohësit e çështjeve politike në vend, presin që takimi i 27 shkurtit në Bruksel të sjellë rezultate pozitive.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ditë më parë ka thënë se në takimin e Brukselit nuk do të flitet për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, derisa ka thënë se pret diskutime mbi propozimin evropian, të cilin e ka pranuar Kosova.

Më të lexuarat
Nga Rubrika
Lajme
15 August 2026
Lajme
15 August 2026

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.