
Raporti: Egzona Shala/Kanal10
Rrëshqitja e dheut ka bllokuar qarkullimin në autostradën “Ibrahim Rugova”, në kilometrin e 26-të, në mes të Suharekës dhe Prizrenit. Edhe pas përpjekjeve që rruga të zhbllokohet brenda një nate, një gjë e tillë nuk është arritur. Derisa qytetarët tregojnë për kolona të gjatë në rrugët alternative.
Shumë vetura që synonin të kalonin në kilometrin e 26-të në mes të Suharekës dhe Prizrenit, duhej të ktheheshin prapa pasditen e së martës.
Kjo pasi rrëshqitja e dheut në autostradën “Ibrahim Rugova”, e pamundësoi qarkullimin e lirë.
Për të shkuar deri në Prizren, qytetarët duhej të kalonin përmes magjistrales, gjë që ka krijuar kolona dhe pritje të gjata të qytetarëve.
E në vendin e ngjarjes, mbi dhjetë makineri po punonin intensivisht që të largonin nga vendi dheun që kishte bllokuar rrugën.
Inxhinieri i kompanisë se kontraktuar për mirëmbajtjen e autostradës, Levent Gas ka thënë se rreziku është permanent.
Ai ka treguar se si ka ardhur deri tek rrëshqitja e dheut në këtë pjesë të autostradës.
Lidhur me këtë, nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinorë dhe Infrastrukturë, kanë thënë se rruga për qarkullim pritet të lirohet gjatë ditës.
Zëvendësministri, Hysen Durmishi ka thënë se për disa ditë do të behët lirimi i vetëm njërës korsi të autostradës.
Nga rrëshqitja e dheut nuk ka pasur ndonjë aksident, derisa ekipet e mirëmbajtjes dhe policia ka dal menjëherë në vendin e ngjarjes.