
Raporti: Saranda Aliu / Kanal10
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka kritikuar opozitën për dërgimin e katër ligjeve në Gjykatën Kushtetuese. Sipas tij, ata po bëjnë përpjekje dëshpëruese për paralizimin e reformave, derisa sipas tij një veprim i tillë nuk mbahet mend të ketë ndodhur prej pavarësisë së Kosovës. Por, me këtë nuk janë pajtuar nga opozita dhe nga shoqëria civile, duke thënë se vlerësimi i kushtetushmërisë së ligjeve, është veprim i duhur.
Përpjekje dëshpëruese për paralizim të reformave e ka quajtur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dërgimin e katër ligjeve në Gjykatën Kushtetuese.
Ai ka thënë se në historinë 15-vjeçare të shtetit të pavarur të Kosovës nuk mbahet mend që kaq shumë ligje të jenë kontestuar në këtë institucion brenda një kohë kaq të shkurtër.
Sipas tij, është dëshpëruese që opozita parlamentare po bënë këtë bllokadë.
Mirëpo, paraardhësi i tij, Avdullah Hoti i është kundërpërgjigjur Kurtit sa i përket ankesave të tij për dërgimin e ligjeve në Kushtetuese.
“Ligjet dërgohen në Kushtetuese kur ka dyshime se mund të cenohet rendi kushtetues. Ai që ka frikë dhe që shpreh kundërshtim ndaj dërgimit të ligjeve në Kushtetuese ka qëllime politike jo fisnike, të cilat nuk janë në interes të qytetarëve por të tij personalisht.”
Dërgimin e ligjeve në Gjykatën Kushtetuese e kanë vlerësuar si veprim të duhur organizatat e shoqërisë civile.
Lavdim Makshana nga Instituti i Kosovës për Drejtësi ka thënë se është shumë e rëndësishme që ligjet të jenë në përputhje me Kushtetutën.
Partitë opozitare së fundmi i kanë dërguar në Gjykatën Kushtetuese disa ligje që janë miratuar në Kuvendin e Kosovës, përfshirë atë për zyrtarët publikë, si dhe Byronë Shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.
Këto ligje, janë kontestuar nga opozita me arsyetimin se janë në kundërshtim me Kushtetutën.