
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, sot ka kujtuar simbolin e rezistencës kombëtare, Adem Demaçin, në ditëlindjen e 87-të.
Haradinaj ka potencuar se Demaçi ka qenë më këmbëngulës se kurrë “në të drejtën tonë të mohuar”.
Ai është shprehur mirënjohës për rrugëtimin jetësor të Adem Demaçit në shërbim të atdheut.
“Kujtojmë e nderojmë në ditëlindjen e tij, kolosin e lëvizjes së shqiptarëve të Kosovës për liri e pavarësi, Adem Demaçin. Atëherë kur shumëkush ishte dorëzuar, baca Adem ishte më këmbëngulës se kurrë në të drejtën tonë të mohuar. Nuk e thyen as vitet e shumta në burgjet serbe. Gjysmë jete prapa grilave, ai mbeti po i njëjti Adem; sypatrembur e i drejtpërdrejt.”, ka shkruar Haradinaj.
Sot 87 vjet më parë është lindur simboli i rezistencës kombëtare, Adem Demaçi. Me prejardhje nga fshati Lupq i Podujevës, Demaçi është lindur më 26 shkurt 1936 në Prishtinë. Ai me jetën dhe veprën e tij, është një personalitet i përmasave të historisë së përgjithshme njerëzore, ku bën pjesë edhe historia jonë kombëtare. Adem Demaçi ka ndërruar jetë në pasditen e 26 korrikut të vitit 2018. Në nderim të tij, janë organizuar shumë aktivitete shtetërore si dhe janë mbajtur tri ditë zie në Kosovë.