Kontaktoni

info@gazeta10.com

10 LIVE

Tri kushtet e Kurtit për formimin e Asociacionit

Gazeta10
28 February 2023 - 12:56

Kryenegociatori i Kosovës në dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi, i ka thënë të martën Parlamentit Evropian në Bruksel se ekzistojnë tri kushte kryesore për formim të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

“Asociacioni duhet të jetë në përputhje me ligjet e Kosovës, duhet të jetë në përputhje me qëndrimet e BE-së se nuk mund të ketë fuqi ekzekutive, siç është thënë në letrën që ish-Përfaqësuesja e Lartë, Federika Mogherini, ia kishte dërguar atëbotë kryeministrit të Kosovës. Së treti, që Asociacioni të mos paraqesë nivelin e tretë të pushtetit”.

Ai ka thënë se sipas ligjeve të Kosovës, nuk mund të ekzistojë autonomi territoriale e serbëve në Kosovë.

Bislimi ka përmendur se 60 për qind e serbëve në Kosovë jetojnë jashtë pjesës veriore të vendit.

Ai ka thënë se marrëveshja e përfshin edhe një pikë që parasheh zbatimin e marrëveshjeve të arritura në të kaluarën në dialog, por që ajo duhet të sqarohet.

“Ky paragraf duhet të detajohet. Së pari të bëjmë një analizë të marrëveshjeve nga e kaluara. Sepse nuk ka kuptim të diskutohet për disa marrëveshje që janë tejkaluar dhe të cilat tash zgjidhen me marrëveshjen e fundit. Si për shembull marrëveshjet për njohjen e vulave, kadastrat, e tjera, nëse me këtë marrëveshje njihen të gjitha dokumentet. Pra, duhet të shohim se cilat marrëveshja janë akoma të vlefshme, e cilat janë tejkaluar tashmë”, ka thënë ai, raporton REL, përcjell Gazeta10.

Në debatin e zhvilluar në Komisionin për Politikë të Jashtme të Parlamentit Evropian, shumica e euro-deputetëve e kanë përshëndetur arritjen e pajtueshmërisë mes Kosovës dhe Serbisë më 27 shkurt.

Bislimi ka thënë se tani fokusi mbetet te darkodimi për planin për zbatimit të marrëveshjes.

“Ajo për çfarë u pajtuam është se nuk do të diskutohet më propozimi, por do të fokusohemi në pjesën e dytë, që është edhe më e rëndësishme, sepse ka të bëjë me implementimin. Duhet ta fokusojmë energjinë që të dizajnojmë planin për të shmangur paqartësitë, si dhe për të sqaruar obligimet e të gjitha palëve që dalin nga kjo marrëveshje, si dhe sekuencimin e aktiviteteve që do të pasojnë. Duhet të caktohen edhe afatet kohore dhe modalitetet e monitorimit të zbatimit”, ka thënë Bislimi teksa u është përgjigjur deputetëve.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.