
Gazetarët e Kanal10, Arben Ahmeti e Kushtrim Sadiku kanë folur në detaje për momentin që u bë viral, gjatë transmetimit live teksa ishin duke raportuar për takimin Kurti-Vuçiq mbrëmë në Bruksel.
Gazetarët kanë treguar se personi që i pengoi gjatë transmetimit, ishte i dehur dhe në gjendje jo të mirë fizike e psiqike.
“Nëse dikush ka pritur nga ne ndonjë talent në artet marciale, na vjen keq që i kemi dëshpruar. Personi në fjalë ishte i dehur, dhe në gjendje të keqe fizike dhe emocionale. Sic e pamë edhe në video, unë kam bërë një tërheqje taktike. Ishte më shumë gallatë sesa situatë serioze”, ka treguar gazetari Ahmeti.
E, për menaxhimin e situatës së mbrëmshme ku u penguan nga qytetari në Bruksel, gazetari Sadiku tha se në ato momente gjithçka çfarë tentonte të bënte, ishte ta ruante e qetësinë dhe të vazhdonte me transmetim live.
“Po diskutohet gjithandej. Padyshim është një moment sfidues. Një moment ku besoj gazetarët dhe ata që kanë eksperiencë, e menaxhojnë situatën. Ne kemi shpëtuar pa patur ndonjë përplasje të madhe, dhe pa patur ndonjë reagim të madh nga ana jonë. Ishte e papritur, sepse zotëria u fut gati sa të kishte një kontakt fizik me mua. Unë e mendova edhe më të keqën, cka nëse ai zotëria do ta godiste dikë nga ne. E dija që jemi në transmetim, dhe e kemi shikueshmërinë e Kosovës”, u shpreh Sadiku në Info10.
Ndiqeni videon e momentit për më shumë./Gazeta10