
Raporti: Bleona Dallaveraj / Kanal10
Reagime të shumta ka ngjallur pika e 7 e propozimit evropian, për të cilin mbrëmjen e së hënës në Bruksel janë pajtuar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq. Ky nen, parasheh rregullimin e statusit juridik të Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë, për çka historianët po pretendojnë se me këtë pikë u jepet autonomi këtyre institucioneve fetare.
Përveç pikës për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, problematike është vlerësuar edhe neni shtatë i propozimit evropian për rregullimin e statusit juridik të Kishës Ortodokse Serbe.
Pajtimi i palëve për këto pika ka ngjallur reagime të shumta në Kosovë.
Njëri nga ish-pjesëtarët e grupit të ekspertëve të jashtëm në mbështetje të delegacionit në bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë, Robert Muharremi, ka thënë se pika 7 e propozimit evropian parasheh autonomi për serbët në Kosovë.
“Pika 7, për sa kohë përmendet me vete prej marrëveshjeve te gjertanishme të pikës 10, është një hap përtej marrëveshjeve të gjertanishme – (1) autonomi për serbët (me ndonjë eufemizëm, si psh “vetëmenaxhim”) dhe (2) status special për Kishën Ortodokse Serbe (hera e parë pas 2008-s që Kosova negocion me Serbinë për statusin e Kishës)”, tha Robert Muharremi – Profesor universitar.
Edhe historiani Shkodran Imeraj ka thënë neni për rregullimin e statusit juridik të Kishës Ortodokse Serbe është i dëmshëm për Kosovën dhe se i tillë nuk duhet të zbatohet.
Partitë opozitare, si dhe njohës të zhvillimeve politike në vend kanë reaguar lidhur me disa nga pikat e propozimit evropian, duke i vlerësuar si të dëmshme për Kosovën.
Pavarësisht se palët janë pajtuar vetëm për përmbajtjen e dokumentit, derisa për modalitetet e zbatimit të tij, pritet të zhvillohen takime të reja ndërmjet liderëve të Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuar edhe nga Bashkimi Evropian, nën mbështetje edhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.