
Raporti: Saranda Alshiqi/Kanal10
Propozimi i Bashkimit Evropian është vlerësuar edhe nga njohës të politikës së jashtme dhe të marrëdhënieve ndërkombëtare. Sipas tyre, pranimi i këtij plani nga Kosova dhe Serbia, është vetëm një hap nga shumë të tjerë që nevojiten në këtë rast. Ata kanë thënë se sfidë për të dyja vendet mbetet zbatimi i këtij propozimi, për çka, sipas tyre, palët ende nuk janë pajtuar.
Sfiduese për Kosovën janë vlerësuar disa nga nenet e propozimit evropian, të cilit edhe zyrtarisht i kanë thënë po, kryeministri i vendit, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Liderët e të dyja vendeve janë pajtuar të hënën në Bruksel, për pikat e këtij propozimi, megjithëse nënshkrimet ende nuk i kanë vendosur në këtë dokument.
Pikat e këtij plani që parashohin formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, si dhe statusin e veçantë të kishës ortodokse serbe, sipas njohësve të zhvillimeve politike, do të jenë problematike.
Belgzim Kamberi nga Instituti “Musine Kokolari”, ka thënë se derisa nuk ka pasur pajtim të planit zbatues, kjo çështje do të vazhdojë të jetë sfiduese.
Edhe njohës të tjerë të politikës së jashtme e kanë vlerësuar si sfiduese zbatimin e disa prej pikave të këtij propozimi.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq janë pajtuar për propozimin evropian, megjithëse për planin e zbatimit të tij, janë paralajmëruar takime të tjera midis tyre, në ditët në vazhdim.