
Mediumi i njohur evropian “Euro News’, disa ditë pas dakordimit të Kurtit dhe Vuçiq për pranimin e planit franko-gjerman i ka kushtuar një artikull të veçantë ish Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi duke shkruar rreth profilit të tij dhe rrugës që ai ka kaluar deri me sot.
Euro News ka shkruar se Hashim Thaçi për disa është hero i pavarësisë së Kosovës kurse për të tjerët kriminel lufte. Sipas mediumiut, një listë e gjatë aktakuzash e solli në Hagë, para Gjykatës Speciale.
Thaçi që në luftë mbante nofken “Gjarpri” ishte një nga krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe gjatë viteve 1990 ishte përgjegjës për financimin e lëvizjes, dhe sigurimin e armëve.
Luftimet në Kosovë në fund të viteve 1990 lanë 13,000 të vdekur dhe përfunduan me tërheqjen e trupave serbe pas 78 ditëve të bombardimeve të NATO-s”, shkruan Euro News.
Tutje mediumi shkruan se Thaçi ishte një nga negociatorët në procesin e paqes me ish-Jugosllavinë. Karriera e tij politike e çoi në krye të qeverisë dhe si kryeministër i dha përparësi shpalljes së pavarësisë, e cila erdhi rreth tre muaj më vonë.
“Ai dha dorëheqjen në vitin 2020 pasi u akuzua për vrasje, torturë dhe përndjekje politike në Hagë. Tetë pjesëtarë të UÇK-së tashmë janë të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit”, shkruan Euro News./Gazeta10/