
Raporti: Bleona Dallaveraj/Kanal10
Mbi 80 mijë punonjës të sektorit publik janë shprehur të pakënaqur, pas ekzekutimit të pagave, sipas ligjit të ri. Shumë kategori kanë thënë se ka pasur fare pak rritje të pagës, derisa punonjës të tjerë kanë thënë se nuk u është rritur rroga. Madje, ka pasur prej tyre që kanë thënë se kanë marrë pagë më të vogël se muajt e kaluar. Pas këtyre pakënaqësive, ata nuk kanë përjashtuar as protestat.
Mijëra punëtorë të sektorit publik e pritën me padurim muajin mars për t’i marr pagat me rritje, pas hyrjes në fuqi të ligjit të ri.
Por, shumë prej tyre, u zhgënjyen me të parë se rritja e rrogave ishte minimale, madje kishte kategori që nuk u ishte rritur fare.
Në mesin e atyre që nuk kanë pasur rritje të pagës janë edhe disa zyrtarë policorë.
Kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri, ka thënë se me ekzekutimin e pagave me ligjin e ri nuk është përfshirë rrezikshmëria, e cila sipas tij, po ndodhë për herë të parë.
Lëshime në ekzekutimin e pagave, sipas Sindikatës së Pavarur të Administratës së Kosovës, ka ndodhur edhe te shërbyesit civilë.
Kryetari i kësaj sindikate, Ali Gashi, ka thënë se për të njëjtin profesion me të njëjtin vend të punës ka pas dallim në paga.
Edhe zjarrfikësit janë ankuar se punëtorët e së njëjtës pozitë kanë marr paga të ndryshme.
Kryetari i Sindikatës së Zjarrfikësve, Muharrem Beka, ka thënë se janë të shqetësuar dhe të zhgënjyer për heqjen e shtesave të rrezikshmërisë.
Që nga miratimi i Ligjit për Paga, 40 ankesa kanë shkuar në adresë të Avokatit të Popullit.
“Ankesat kanë ardhur nga sektorë të ndryshëm, si auditorë të brendshëm, Shoqata sindikale e shërbimit sprovues të Kosovës, Instituti Kosovar i infermierët, mjekët që punojnë në Ministrinë e Shëndetësisë, laborantë të lartë mjekësor, Komisioni Qendror Zgjedhor, Qendra për pajisje të dokumenteve, Shoqata e Instrumentalëve të Kosovës, Zyra e Rregullatorit të Energjisë, Këshilli Prokurorial i Kosovës, Këshilli Gjyqësor i Kosovës Ekspertët në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, etj. Institucioni i Avokatit të Popullit është duke i trajtuar këto ankesa, dhe po ashtu është duke analizuar ligjin në fjalë, dhe pas kësaj, Avokati i Popullit do të del me një qëndrim në lidhje me këtë çështje”
Për këtë, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Ministria e Financave kanë deklaruar se shtesat e muajit shkurt do të paguhen në mënyrë retroaktive në pagën e muajit mars.
Sindikatat kanë paralajmëruar edhe protesta në rast se nuk adresohen pakënaqësitë e tyre lidhur me pagat e ekzekutuara sipas ligjit të ri.