Kontaktoni

info@gazeta10.com

Duhet Lexuar

Lajçak: Mbi tavolinë i kam 16 modele evropiane për Asociacionin në Kosovë

Gazeta10
03 March 2023 - 17:52

16 modele evropiane është duke i shqyrtuar emisari i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak për zbatimin e marrëveshjes për Asociacionin e Komunave me Shumicë serbe. Ai nuk i tregoi ato, megjithëse, tha se do t’i ndajë me partnerët dhe do të vendoset për njërin prej tyre. Çka tha tjetër ai në një prej intervistave të para pas 27 shkurtit?

Kosova dhe Serbia tashmë janë pajtuar për propozimin evropian, në një takim që u mbajt të hënën dhe u konsiderua si përparim i madh nga Bashkimi Evropian, e po ashtu, edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ceremonia e nënshkrimit, takimi i 18 marsit, Asociacioni e shumë çështje të tjera, u përmenden nga ai në një intervistë për “Atlantic Council”.

Diplomati sllovak për herë të parë ka bërë të ditur se janë duke u shikuar 16 modele për zbatimin e marrëveshjes, për të cilën tha se është obligim ndërkombëtar.

“Kemi shikuar modele ekzistuese dhe mund t’iu them që këtu në tavolinën time kam 16 modele evropiane, por nuk mund t’i listoj ato. Nuk dua të tregohem se po bëj favor për një palë apo tjetrën.” – tha ai.

Lajçak bëri të ditur se të njëjtat do të diskutohen, dhe se më pas, do të vendoset se cili mund të përdoret në rastin e Kosovës.

Veç kësaj, ai bëri të ditur se “nuk do të krijohet diçka që e bën shtetin e Kosovës më pak funksional”

“Po i ndajmë këto diskutime me partnerët tanë, dhe ata, do të vendosin se cilin model do ta marrin. Nuk duam të krijojmë diçka që do ta bënte sistemin e Kosovës më pak funksional. Nuk do të krijojmë diçka që nuk ka qenë e krijuar apo e testuar në shtetet evropiane. Roli ynë është që dy shtetet t’i afrojmë pranë Bashkimit Evropian.” – ka bërë të ditur emisari evropian.

Ndërmjetësuesi i bisedimeve shtoi se po bëhen gati për takimin e 18 marsit, derisa e konfirmoi edhe një herë, se shumë shpejt do t’i vizitojë Kosovën dhe Serbinë.

“Ne kemi thënë nuk duam që të komentojmë në atë që kanë thënë liderët pas takimit, dhe përgjegjësia ime është që të bëhem gati për takimin e 18 marsit, dhe për këtë arsye do t’i vizitoj dy vendet shumë shpejt.” – ka thënë ai mes tjerash. /Gazeta10/

Më të lexuarat
Nga Rubrika
Lajme
06 June 2026

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.