
Të pakënaqur me një vendim të tillë të Qeverisë, Sindikata e Policisë së Kosovës ka kërkuar që të gjithë policët pa përjashtim, të paguhen për rrezikshmëri.
Sindikata i ka vendosur afat kohor Qeverisë së Kosovës për përgjigje në lidhje me këtë kërkesë dhe disa të tjera, pas një takimi që kanë mbajtur të premten anëtarët e Këshillit Drejtues të saj.
“Kërkojmë nga Qeveria e Republikës së Kosovës që shtesat e rrezikshmërisë për të gjithë zyrtarët policorë, pa asnjë përjashtim, të realizohen me pagën e muajit mars dhe në asnjë rast të mos ketë zbritje gjatë kategorizimit nga ajo që ka qenë deri më tani, gjegjësisht para hyrjes në fuqi të Ligjit të Pagave dhe në mënyrë retroaktive të kompensohet edhe shtesa e muajit shkurt.”
Sipas sindikatës, nëse Qeveria nuk u kthen përgjigje deri në fund të javës së ardhshme, atëherë ata do të marrin hapa të tjerë sindikalë.
“Duke u bazuar në konkluzionet e sipërpërmendura kërkojmë nga Qeveria e Republikës së Kosovës që më së largu deri në fund të javës së ardhshme të marrim përgjigje në kërkesat tona në të kundërtën jemi të obliguar që të shqyrtojmë të gjitha mundësitë dhe hapat e tjera sindikal të parapara me ligj.”
Ndër pakënaqësitë e tjera të shprehura janë edhe zvogëlimi i pagës neto në disa sektorë dhe nivele të ndryshme në kuadër të Policisë së Kosovës, mospagesa e shtesave për kushte të veçanta dhe specifike të punës për disa kategori të Stafit Civil dhe mos përfillja e listës së dërguar nga komisioni i menaxhmentit policor për kategorizimin e profesioneve të ndryshme.
Ministria e Financave dhe Ministria e Punëve të Brendshme kanë njoftuar të gjithë zyrtarët publikë se të martën janë ekzekutuar pagat e para sipas Ligjit për Paga në Sektorin Publik, i cili ka hyrë në fuqi me datën 5 shkurt 2023.
Megjithëkëtë, këto ministri kanë njoftuar se shtesat e parapara në Ligjin për Paga nuk kanë dalë, për çka ka nxitur reagime dhë pakënaqësi të shumë punonjësve në sektorin publik./Gazeta10/