
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka folur në seancën solemne të Kuvendit për Epopenë e UÇK-së duke thënë se lufta e familjes Jashari është e pashembullt në botë, raporton Gazeta10.
Konjufca, kujtoi momentin kur Rifat Jashari vëllai i Adem Jasharit, kishte ardhur pas rënies së familjes Jashari dhe kishte parë trupat e tyre.
“Kur flasim për Jasharajt, lavdia e të gjallëve është jo më e pakët se e të rënëve. Besarta mbijetoi për ta ndarë me ne qëndresën legjendare dhe flijimin e familjes së saj. Zoti u kujdes që dëshmia të jetojë. Shpesh më del para syve momenti kur baci Rifat kthehet në Prekaz mes varreve të freskëta. Me atë ecje titanike ai barte mbi supet e tij, krejt dhimbjen tonë historike por edhe krenarinë tonë më të madhe”, tha ai.
Kryeparlamentari, tha se luftën si ajo e familjes Jashari nuk e njeh as historia e botës.
“Lufta e Prekazit është ngjarje e pashembullt jo vetëm në historinë tonë. Një të ngjashme nuk e njeh as historia e botës. Familja e gjerë Jashari, tre breza në kullën e tyre, në tokën e lashtë nga baci Shaban e deri te Blerimi i vogël e shpallën lirinë e popullit tonë dhe embrojtën atë deri në vetëflijim. Lufta e tyre ishte legjendare. Sakrifica sublime, saqë kombi shqiptar kaloi në një dimension tjetër të vetëdijes”, tha Konjufca./Gazeta10