
Mësimdhënësja Suzana Xhemaili Periuci e shkollës “Qamil Batalli”, ka folur rreth manifestimit të ditës së mësuesit për vite të tëra, raporton Gazeta10.
Por, manifestimi i kësaj dite jo çdo vit kishte qenë i njëjtë për të, në rrëfimin e saj kjo ditë shënon edhe njërën nga përpjekjet kombëtare për shkollimin e brezave të rinj në gjuhën shqipe.
Mësuesja Suzana Xhemaili, e cila në kohën e para luftës kishte punuar në Mitrovicë, tregon se një herë një orë mësimore me nxënësit e kishin mbajtur në Urën e Ibrit, të rrethuar nga forca serbe e mbi ta qëndronin helikopter.
“Gjithmonë 7 Marsin e kemi shënuar, përpara luftë ka qenë ndryshe, para luftë për një 7 Mars në Mitrovicë një herë kemi mbajtur një orë mësimorë në Urën e Ibrit me nxënës, kemi qenë të rrethuar me forca të shumta serbe, helikopterët fluturonin mbi ne dhe ne mbajtëm një orë mësimore së bashku me nxënësit. Ishte një mënyrë e protestës për të i kthyer fëmijët e rritur nëpër banka shkollore, sepse në atë kohë nxënësit e shkollave të mesme mbanin mësim në shtëpi që ishin shndërruar në shkolla. Në fillim kishim frikë por pastaj ishte entuziazmi dhe e harruam frikën, ishte një ndjenjë e bukur që me punën tonë të kontribuonim sado pak në sensibilizimin e masave në atë.”, ka thënë ajo në INFO10 teksa kujtonte kohërat e vështira.
Ajo thotë se këtë ditë gjithmonë e kujton me kujtime të mira por edhe të hidhura.
“Gjithmonë e kujtoj sidomos kur vjen 7 Marsi sepse kemi kujtime të bukura por edhe mjaft të hidhura në atë kohë kur më kujtohen ata fëmijë çfarë kushte kanë mësuar, ishte e vështirë sidomos kur e shoh tash çfarë kushte kanë fëmijët.”, ka thënë ajo./Gazeta10