
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka takuar ambasadorin francez në Kosovë, Olivier Guerot.
Krasniqi bëri të ditur në Facebook se ai dhe Guerot diskutuan për situatën aktuale politike dhe zhvillimet në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Kryetari i PDK-së foli në takim edhe për rezervat që partia ka për marrëveshjen aktuale të prezantuar, meqenëse mungon njohja e ndërsjellë si rezultat përfundimtar i procesit të dialogut.
“Ambasadorit Guerot, i shpreha qëndrimet e Partisë Demokratike të Kosovës rreth këtij procesi dhe rezervat që i kemi shfaqur edhe publikisht lidhur me marrëveshjen aktuale të prezantuar, duke u fokusuar posaçërisht në mungesën e njohjes së ndërsjellë si rezultat përfundimtar i procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.”, ka shkruar Krasniqi.
Megjithatë, Krasniqi në fund thotë se “PDK vazhdon të mbetet e përkushtuar për bashkëpunim të vazhdueshëm dhe koordinim konstruktiv me aleatët tanë ndërkombëtarë, gjithmonë në funksion të arritjes së qëllimeve tona shtetërore”./Gazeta10