
Raporti: Viola Korça/Kanal10
Edhe zyrtarisht, të mërkurën është hapur qendra më e madhe tregtare në rajon “Prishtina Mall”. Drejtuesit e kësaj qendre kanë rrëfyer për punën që kanë bërë me vite deri tek përfundimi i projektit. Me lehtësira, komoditete dhe shërbime lehtë të qasshme, “Prishtina Mall” nga nesër do të sigurojë që të gjithë vizitorët të shijojnë këtë hapësirë unike. Përveç punëtorëve, kjo qendër ka siguruar transport edhe për vizitorët.
Qendra më e madhe tregtare në rajon “Prishtina Mall”, nga e enjtja do të jetë e hapur për vizitorë.
Punët për këtë projekt tashmë kanë përfunduar dhe do të jetë i qasshëm për secilin qytetar.
Drejtues të “Prishtina Mall”, kanë thënë se kanë punuar në detaje për të ndërtuar një qendër të tillë, me hapësira unike dhe shërbime lehtë të qasshme.
Drejtori menaxhues i “Prishtina Mall”, Alvaro Costa ka thënë kjo qendër ka kinematë më moderne në Evropën Juglindore, derisa ka bërë të ditur se janë punësuar rreth tremijë persona.
“Ne gjatë kohës së kaluar kemi punuar shumë dhe fuqishëm që ta realizojmë “Prishtina Mall”. “Prishtina Mall” është qendër tregtare me më shumë se 230 dyqane me një hapësirë të balancuar komerciale që sillet nga moda tek teknologjia e me një ofertë mjaftë të pasur gastronomike. Ka kinematë më moderne në Evropën Juglindore. Ne do të sjellim disa brende të reja. Ajo që e dallon “Prishtina Mall” nuk është ndonjë brend i caktuar por është që të mbledhim të gjitha brendet… Po ashtu këtu mund të kemi edhe një mikrotreg, me 3 mijë punonjës, të cilët e shfrytëzojnë mundësinë që të blejnë dhe të përjetojnë ato që ne po i ofrojmë tregut në përgjithësi”- Alvaro Costa – Drejtor menaxhues i “Prishtina Mall”
Kryetari i bordit të aksionarëve në “Prishtina Mall”, Fatmir Zymberi ka treguar disa nga sfidat që kanë hasur gjatë ndërtimit të kësaj qendre.
Mirëpo, ai ka thënë se kjo i ka dhënë një përvojë që çdo gjë është e mundur nëse punohet.
Zymberi ka thënë se kanë siguruar edhe transportin për të punësuarit në këtë qendër, ashtu edhe për vizitorët, madje edhe të qyteteve tjera.
“Prishtina Mall” do të ofrojë aktivitete për fëmijë, adoleshentë dhe të rritur për të ndërtuar një marrëdhënie të fortë emocionale me vizitorët dhe komunitetet përreth.