
Raporti: Saranda Aliu/Kanal10
Të enjten zyrtarisht ka nisur organizimi i zgjedhjeve të jashtëzakonshme të 23 prillit për katër komunat veriore. Por, Lista Serbe ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë në këto zgjedhje. Nga pushteti janë optimist për mbarëvajtje të procesit, ndërsa nga opozita thonë se nuk presin ndonjë zhvillim të ri.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, këtë të enjte zyrtarisht ka nisur organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme të 23 prillit për katër komunat veriore.
E nga ky komision u kanë bërë thirrje partive politike që të konfirmojnë kandidatët e certifikuar për kryetar të komunave dhe ata për asamblistë.
Mirëpo, Lista Serbe, e cila është partia më e madhe e serbëve të Kosovës, ka bërë të ditur se nuk do të marrë pjesë as në zgjedhjet e 23 prilli.
“Partia jonë politike nuk do të marrë pjesë në zgjedhje sepse nuk janë përmbushur kërkesat që na kanë shtyrë të largohemi nga institucionet e Kosovës dhe as nuk do të marrim pjesë në zgjedhje deri në përmbushjen e kërkesave tona legjitime”-Lista Serbe.
Ndërkohë partitë në pushtet e opozitë shprehin qëndrime të kundërta rreth këtij procesi në veriun e vendit.
Deputetja e Vetëvendosjes, Arbëresha Kryeziu, pret të ketë mbarëvajtje të procesit të zgjedhjeve në veri, kjo për shkak të zhvillimeve të fundit të dialogut Kosovë-Serbi.
Por, ndryshe mendon deputeti i PDK-së, Mergim Lushtaku, i cili thotë se nuk pret ndonjë zhvillim të ri në këtë drejtim, derisa ka kritikuar qeverinë që për shkak të keqmenaxhimit i kanë shtyrë zgjedhjet atje.
Ndërkohë, KQZ-ja ka shtyrë afatin për aplikim të subjekteve politike në zgjedhjet në veri deri më 22 mars, me qëllim që t’u jepen më shumë kohë subjekteve politike për të paraqitur kandidatët e tyre.
Zgjedhjet që ishin caktuar të mbahen më 18 dhe 25 dhjetor në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, ishin shtyrë për shkak të tensioneve atje, ku ishin sulmuar ekipi i Komisionit Komunal të Zgjedhjeve.