
Qentë endacak rrezikojnë banorët e kryeqytetit. Prezenca e tyre nëpër rrugët e kryeqytetit është bërë diçka e zakonshme, ndërsa Komuna e Prishtinës e ka gati qendrën për trajtimin e kafshëve në Hajvali, raporton Ekonomia Online.
Menaxheri i Qendrës së Trajtimit të qenve endacakë, Habib Qorri, ka deklaruar për Ekonomia Online, se si pasojë e motit të ligë, janë detyruari t’i ndërpresin punimet.
Kjo qendër, sipas tij do të jetë në funksion shumë shpejtë dhe se kanë mbetur disa punë të lehta brenda objektit.
“Qendra për trajtimin e kafshëve më saktësisht të qenve endacakë, është si të them në fazën finale të realizimit të punimeve, pak kohëve të fundit për shkak të temperaturave të ulëta janë punë ndërtimore të cilat është dashur apo kërkohet kushte klimatike më optimale për t’u përfunduar ato punë për arsye se nuk kemi nxehëse në temperatura mbingritëse ato punë veç dështojnë kështu që nuk kemi guxuar, dhe janë shumë të ndjeshme sidomos pjesa e dyshemesë që është material shumë i ndjeshëm dhe është ajo finalizimi i punëve që bëhet brenda qendrës, domethënë jemi krejt në përfundim të punëve”, ka deklaruar Qorri, teksa thotë se bashkëpunim kanë edhe me Agjencinë e Veterinës dhe Ushqimit.
“Ne jemi në bashkëpunim të ngushtë me institucionin e veterinarisë ku do t’i përshtatemi të gjitha kushteve dhe specifikave të cilat kërkohet sipas udhëzimeve administrative, Ligjit për Përkujdesjen ndaj Kafshëve të cilat janë në fuqi, në bazë të tyre ne duhet të përgatisim edhe funksionalizimin e qendrës, mandej përgatitja e stafit për arsye se ne kemi pasur kontrata të gatshme me operatorët të cilët i kanë plotësuar të gjitha kushtet për me u marrë me këtë veprimtari që edhe tani kemi kontrata të tilla në realizim, mirëpo ne drejtpërdrejtë të merremi me këtë proces, s’kemi brenda komunës ose ndërmarrjeve ku do të jenë pjesë e organizimit të punës ose menaxhimit të punës në qendër nuk kemi pasur edhe nuk kemi kuadro të gatshme, kështu që të gjitha këto janë duke u bërë përgatitje pas përfundimit të punëve ndërtimore, të vjen faza e funksionalizimit të qendrës”, u shpreh Qorri.
E kostoja e kësaj qendre kap shifrën e afër 500 mijë eurove, ndërsa shumë shpejt do të fillojnë me sigurimin e stafit për kapjen e qenve endacakë. Thotë se në këtë qendër do të jenë të punësuar një numër i konsiderueshëm i stafit.
“Komplet ndërtimi i qendrës me të gjitha punët ndërtimore, është 249 mijë euro kontrata dhe si e tillë është veç pa punë shtesë, vetëm ashtu si ka qenë projekti është realizuar. Tash jemi duke e bërë një përshkrim të punëve për arsye se ne deri më tani kemi pasur operatorë të cilët i kanë plotësuar të gjitha kriteret dhe ne jemi marrë vetëm me menaxhimin, monitorimin e punës së operatorëve, kurse tash ne do t’i marrim të gjithë edhe stafi që do të merret me kapjen e qenve edhe ata që do të merren me mirëmbajtjen e qendrës, pastrimit, ata që do të merren me trajtimin që duhet të jetë së paku një veterinar dhe dy ndihmës të profesionit të njëjtë, të profilit të njëjtë kështu që jemi duke e bërë një përshkrim të pozitave të punës, mandej është edhe sigurimi, është një numër i konsiderueshëm i stafit që duhet kompletuar, për të funksionalizuar qendrën”, u shpreh ai. /Gazeta10/