
Raporti: Saranda Aliu/Kanal10
Ish krye-negociatorja e Kosovës për bisedime me Serbinë, Edita Tahiri ka thënë se derisa PDK-ja dhe LDK-ja i kanë thënë jo marrëveshjes evropiane pa njohje reciproke, e njëjta nuk ka legjitimitet të plotë. Këtë sipas saj e fuqizon edhe më shumë rënia e përkrahjes për kryeministrin Kurti. Ndërkaq, njohësit e çështjeve politike e kanë kritikuar opozitën që po e kundërshton këtë marrëveshje, derisa sipas tyre e njëjta muaj më parë është shprehur përkrahëse e çdo marrëveshje që përkrahet nga SHBA-ja.
Pas kundërshtimit të partive opozitare kundrejt planit evropian, ka reaguar edhe ish-kryenegociatorja e Kosovës për bisedime me Serbinë, Edita Tahiri.
Nënshkrimin e Propozimit Evropian dhe fuqinë e tij Tahiri e lidhë me zhvillimet e brendshme në Kosovë.
Ajo është shprehur se qasja e partive opozitare dhe rënia e përkrahjes për kryeministrin Kurti e zbeh fuqinë e marrëveshjes.
“Fakti se partitë e mëdha opozitare PDK dhe LDK i thane jo marrëveshjes pa njohje reciproke kjo donë të thotë se kjo marrëveshje nuk ka legjitimitet te plote, aq me shume qe ka rene përkrahja për kryeministrin Kurti ne bazë te sondazhit te UNDP”.
E ndryshe nga kritikat e PDK-së dhe LDK-së se kryeministri Kurti e ka pranuar planin Franko-Gjerman pa negociuar asgjë, njohësit e procesit të dialogut, mendojnë ndryshe.
Njohësi i çështjeve politike, Gazmir Raci, e ka quajtur të pakuptimtë qëndrimin e opozitës kundër planit të Bashkimit Evropian, derisa e njëjta sipas tij muaj më parë ka thënë se e përkrah çdo marrëveshje që mbështetet nga SHBA-ja.
Sipas profesorit universitar për politikë, Seb Bytyqi plani i BE-së për dialogun, për Serbinë nuk ka kthim prapa dhe kjo i jep Kosovës më shumë hapësirë për negociata edhe rreth Asociacionit.
Ndryshe nga PDK-ja dhe LDK-ja, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës janë shprehur se e përkrahin planin Franko-Gjerman, ani pse sipas tyre marrëveshja ka mundur të jetë edhe më e mirë me një kryeministër tjetër./Gazeta10