
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka kritkuar Qeverinë e Kosovës duke thënë se s’po gjen zgjidhje të problemeve por vetëm po ankohet, raporton Gazeta10.
AAK ka marrë një shembull të qeverisjes së saj për ta kritikuar pushtetin aktual.
“Kujtojmë se mekanizma të rëndësishëm ndërkombëtar të sigurisë në botë ishin skeptike sa i përket formimit të Ushtrisë së Kosovës, por kryeministri Haradinaj në vend që të fliste për rreziqet, iu përvesh punës për krijimin e ushtrisë, pa zhurmë e gjithnjë në koordinim me ShBA-të”.
Tutje, nga AAK kanë thënë se liderët e shtetit e kanë për obligim t’i kryejnë detyrat e veta dhe jo të shpërqëndrojnë vëmendjen prej temave në tema.
“Pra, institucionet e Kosovës, liderët shtetëror duhet të prodhojnë zgjidhje për tema të rëndësishme, jo të ankohen, jo të bëjnë përpjekje me shpërqendruar vëmendjen prej disa temave në disa tjera”, thuhet në reagim.
Në reagimin e AAK-së thuhet se FSK dhe NATO garantojnë paqen dhe stabilitetin e Kosovës.
“Ushtria e Kosovës bashkë me NATO-n, janë garantuese të paqes në Kosovë dhe në rajon. Sa më shumë që po forcohet dhe bëhet më profesionale FSK, aq më shumë rriten shanset të kemi një paqe më të qëndrueshme”, thuhet më tej në reagimin e AAK-së. / Gazeta10