
Raporti: Gentiana Gashi/Kanal10
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi, është intervistuar nga Prokuroria Speciale të martën për rastin e zhdukjes së mostrave të ish-aktivistit të kësaj partie, Astrit Dehari. Ai ka thënë se çështja i takon Prokurorisë duke mos komentuar nëse ka deponuar ndonjë provë. Akuzat e tij i ka komentuar për herë të parë edhe kryeministri Albin Kurti.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi, ka deponuar dëshminë e tij në Prokurorinë Speciale lidhur me pretendimet për zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit nga Instituti i Mjekësisë Ligjore.
Ai ishte ftuar në intervistë, pasi këto pretendime i kishte bërë publike në një konferencë për media të enjten e javës së kaluar.
Pas intervistës së tij në organet e hetuesisë, Abazi ka thënë se nuk do të ndalet pavarësisht presioneve me të cilat po përballet.
Abazi tërthorazi ka hedhur kritika edhe ndaj ish-shefit të tij në Qeverinë Kurti 1.
Akuzat e deputetit, i ka komentuar për herë të parë edhe kryeministri Albin Kurti, duke i quajtur ato si të pavërteta.
I pranishëm në Prokurori ishte edhe përfaqësuesi ligjor i familjes Dehari, avokati Tomë Gashi.
Mirëpo, atij nuk i ishte lejuar pjesëmarrja, për çka ka akuzuar prokurorin e rastit, Afrim Shefkiu.
Ndryshe, opozita u ka bërë thirrje organeve të drejtësisë që lidhur me zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit, të ftohen për intervistë edhe kryeministri Albin Kurti dhe e ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
Në dhjetor të vitit të kaluar, ministrja Haxhiu në një konferencë të jashtëzakonshme për media, kishte njoftuar se janë zhdukur mostrat e Deharit, të cilat ruheshin në Laboratorin e Toksikologjisë në Institutin e Mjekësisë Ligjore.
Pas këtij rasti, tre zyrtarë të këtij instituti ishin suspenduar, por më pas ata janë kthyer në punë.
Ish-aktivisti i Vetëvendosjes, në nëntor të vitit 2016, kishte vdekur në rrethana ende të pasqaruara, derisa po mbahej në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, si i dyshuar për sulmin ndaj objektit të Kuvendit të Kosovës.