
Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka kritikuar ekzekutivin për vendimin e fundit mbi mospagesën e sindikalistëve protestues që është vendosur të enjten.
Abdixhiku ka thënë se kërkimi i listave të punonjësve grevistë, përveç që është presion i drejtpërdrejt, është edhe kërcënim ndaj procesve demokratike në vend, shkruan Gazeta10.
Kryetari i LDK-së po ashtu ka shtuar se kryeministri Kurti përmes kërcënimeve të tilla, po tenton t’i mbulojë dështimet e tij.
Postimi i plotë:
NË VEND TË DINJITETIT, KËRCËNIM
Ky është narracioni i një pushteti autokratik që deri dje premtoi mirëqenie e zhvillim, sot shpërndanë frikë e kërcënim. Kërkimi i listave të punonjësve në grevë nga ana e Qeverisë përveçse presion i drejtpërdrejtë ndaj punëtorëve të sektorit publik është dhe kërcënim ndaj proceseve demokratike në vend dhe vet shtetit juridik.
Sot, shoqëria kosovare duhet të rreshtohet prapa mësuesve, mjekëve e shërbyesve publik që me plot të drejtë, në krizën më të madhe ekonomike, kërkojnë dialog, dinjitet e përballueshmëri.
Këtë përballueshmëri ata se gjejnë dot. Ata kanë gjetur një kryeministër që me frikë e kërcënim, provon t’i mbulojë të gjitha dështimet e tij. Ndërprerja e kontratave të tyre, në këtë kohë krize, është goditja më e rëndë që një Qeveri mund t’u japë qytetarëve të vet. Kështu nuk duhet të duket Kosova demokratike, kështu nuk duhet të trajtohen punëtorët tanë. Kryeministri i premtimeve, që sot s’mund ta mbajë asnjë, po dëshmon, si çdo ditë, që është i paaftë për të menaxhuar me vendin, kërkesat qytetare e krizat e mëdha.