
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, është deklaruar pas përfundimit të Kuvendit të Jashtëzakonshëm të partisë, ku mori votëbesimin e delegatëve për të vazhduar në krye të LDK-së.
Abdixhiku tha se është i kënaqur me rezultatin dhe falënderoi të gjithë delegatët, si ata që e mbështetën, ashtu edhe ata që kishin një qëndrim ndryshe.
“Jam i lumtur me rezultatin, falënderues për delegatët mbështetës që kanë rikonfirmuar rezultatin e janarit, siç jam mirënjohës edhe për delegatët e tjerë që ndajnë mendime ndryshe në këtë drejtim, por që të gjithë bashkërisht jemi zotuar që të punojmë bashkë e të bashkohemi rreth misionit tonë të përbashkët të LDK-së”, tha ai.
Kreu i LDK-së u kërkoi falje mbështetësve të partisë për zhvillimet dhe përplasjet e muajve të fundit, duke i cilësuar ato si të panevojshme.
“Siç kam thënë, ky kuvend ka qenë i panevojshëm, i pakohë e i padobishëm për LDK-në, sepse na ka mbajtur temë tash e ca muaj dhe në gjithë këtë periudhë kemi lënduar mbështetësit tanë”, u shpreh Abdixhiku.
Ai theksoi se pas përfundimit të procesit të brendshëm, fokusi i LDK-së duhet të rikthehet te qytetarët dhe sfidat me të cilat përballet vendi.
“Nuk duhet të harrojmë asnjëherë që ne ekzistojmë për qytetarët e Kosovës, jo për beteja të brendshme partiake. Karriget janë të përkohshme, vijnë e shkojnë, por LDK ka mision shumë më të madh: që Republikës së Kosovës t’i japë stabilitet”, deklaroi Abdixhiku.