Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka bërë një përmbledhje të programit për Sport, Kulturë dhe Turizëm, që prezantoi mbrëmë në Prishtinë.
Abdixhiku ka thënë se plani i tyre në këtë sektor është ambicioz, duke filluar nga stadiumet e futbollit, tek kompleksi më i madh kulturor në histori të Kosovës e deri tek Qendrat e Skijimit.
“Plani ynë për Sport, Kulturë e Turizëm. Nga Stadiumet e Futbollit, tek kompleksi më i madh kulturor në histori të Kosovës e deri tek Qendrat e Skijimit. Ne kemi një plan ambicioz! “, ka shkruar Abdixhiku.
Programi i prezantuar mbrëmë për sport:
– 100 milionë euro për ndërtimin e Qendrës Kombëtare të Sportit në Bërnicë të Prishtinës.
– Qendra do të ketë STADIUM KOMBËTAR me 25 mijë deri në 30 mijë ulëse;
– PALLAT KOMBËTAR me salla moderne për sportet e dorës (basketboll, hendboll e volejboll);
– 2 Pishina Olimpike;
– Prezantuam dhe ndërtimin e 5 STADIUMEVE RAJONALE të kategorisë 3 dhe 4 të UEFA-s në Gjilan, Ferizaj, Gjakovë, Pejë e Prizren.
Në Kulturë:
– Ndërtimin e Teatrit të Operas dhe Baletit Dr. Ibrahim Rugova, në vlerë prej 25 milionë eurove;
– Ndërtimin e Teatrit të Ri Kombëtar të Kosovës;
– Ndërtimin e Muzeut Bashkëkohor në vlerë prej 10 milionë eurove;
– Themelimin dhe ndërtimin e Muzeut të Paqes dhe Rezistencës;
– Adoptimin e 10 Qendrave Multifunksionale në 10 qytete të Kosovës, në modelin e adoptimit të Bibliotekës ‘Hivzi Sylejmani’ në Prishtinë.
Në Turizëm:
– 80 milionë euro investime në resortin modern turistik në Brezovicë;
– 50 milionë euro investime në resortin e Pejës.