
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiu, përmes një postimi në Facebook ka hedhur kritika për qasjen që Qeveria e ka pasur ndaj ShBA-ve duke thënë se institucionet i kanë borxh popullit për t’ua shpjeguar se si është arritur që të mos flitet më për njohje në marrëveshjen me Serbinë.
Abdixhiku ua ka kujtuar Qeverisë, 7 shkurtin e vitit 2021, kur presidenti i ShBA-së, Joe Biden, nëpërmjet një letre urimi i kishte kërkuar presidentit serb Vuçiq, arritjen e një marrëveshje me Kosovën të përqendruar në njohje.
“Më 7 shkurt të vitit 2021, Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Joe Biden, nëpërmjet një letre urimi, i kishte kërkuar Presidentit të Serbisë Vuçiq, arrtijen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse me Kosovën të përqendruar në njohjen e ndërsjellë. Pra njohja e ndërsjellë, respektivisht njohja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia ishte politikë qendrore e administratës Biden. Si njëri nga Presidentët më të involvuar me çështjen e Kosovës, që nga vitet e 90-ta e këndej, Joe Biden dhe qëndrimi këmbëngulës për Kosovën, shpërfaqnin një mundësi të jashtëzakonshme për popullin e vendin tonë”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.
Tutje Abdixhiku, ka thënë se pas dy vjetëve me Qeverinë Kurti, pozicioni ndërkombëtar i Kosovës është i rënduar duke theksuar se aleati kryesor, siç është SHBA-ja, ka thënë se nuk është koha për njohje.
“Saktësisht dy vite me Qeverinë Kurti, dhe pozicioni ndërkombëtar i Kosovës duket qartazi i rënduar. Tani aleati ynë kryesor thekson se koha nuk është për njohje. Ky qëndrim vjen si pasojë e papërgjegjësisë populliste që për politikë turmash jo që s’arriti të përfitojë nga kjo administratë, por pariparueshëm degradojë relacionet në qëndrime që tani dhe normalizojnë mosnjohjen. Dhe kështu, si në asgjë, në momentin më të mirë në dekada për Kosovën, e në momentin më të rëndë për Serbinë e aleatin e saj Rusinë – Qeveria e Kosovës bëri të pabëshmën, regresoj në fundament me partnerë strategjik duke i dhënë një dhuratë të papritshme kundërshtarit tonë historik”, ka shkruar Abdixhiku.
Kreu i LDK-së ka thënë se liderët shtetërorë i detyrohen popullit të Kosovës një shpjegim se si arritën deri te ky përfundim./Gazeta10