
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku ka vizituar policin, Alban Rashiti, i cili është plagosur sot në veri nga bandat kriminale serbe.
I pari i LDK-së i ka shprehur ngushëllime policit Rashiti për vrasjen e kolegut të tij, Afrim Bunjaku.
“Vizitova Albanin, policin e plagosur sot nga sulmi terrorist në veri. Mes dhimbjes së madhe për humbjen e Afrimit, tek ai gjeta dhe forcën e krenarinë për punën profesionale të shokëve të tij, Policisë së Kosovës, në përballje me terroristë”, ka shkruar Abdixhiku.
Përmes një statusi në Facebook, Abdixhiku ka bërë të ditur se e ka takuar edhe të atin e policit të plagosur.
“Prindit të Albanit i thash të mburret me djalin e tij, sepse me të dhe shokët e tij mburremi të gjithë. Do të kapërcejmë secilën sfidë. Bashkë për Republikën”, përfundon statusi i kryetarit të LDK-së.
Mëngjesin e së dielës, pas një sulmi terrorist nga bandat serbe, ka mbetur i vdekur rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, derisa është plagosur polici, Alban Rashiti.