Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Abdixhiku vlerëson dakordimin e djeshëm, i quan drama të panevojshme zhvillimet e fundit

Gazeta10
24 November 2022 - 10:45

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se vlerëson dakordimin e djeshëm mes Kosovës dhe Serbisë lidhur me targat, raporton Gazeta10.

Ai ka thënë se rruga e vetme e suksesit të Kosovës është bashkëpunimi me ndërkombëtarët.

Më tej, ai ka thënë se sjelljet e fundit të Kurtit lidhur me targat kanë lënduar raportet me ndërkombëtarët.

Tutje, Abdixhiku ka thënë se LDK thërret për transparencë të procesit të dialogut e ku përfshihet edhe raportimin në Kuvend.

Abdixhiku ka kritikuar edhe deklarimet e fundit të kryeministrit Kurti duke i quajtur të paqarta dhe kontradiktore.

Këtu keni postimin e plotë:

“Lidhja Demokratike e Kosovës e vlerëson dakordimin e mbrëmshëm, të arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e BE-së dhe më mbështetjen e ShBA-ve.

Siç edhe kemi theksuar në vazhdimësi, rruga e vetme që garanton suksesin e Kosovës është bashkërendimi i ngushtë dhe i përhershëm me partnerët strategjikë, në veçanti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Për Kosovën dhe të ardhmen euroatlantike të saj, stabiliteti politik dhe siguria janë parakushte esenciale, ndërsa bashkëpunimi i përgjegjshëm ndërkombëtar garanton shtyrjen përpara të interesave nacionale të Republikës së Kosovës.

LDK-ja e ka parë si tërësisht të panevojshme dhe të dëmshme gjithë dramën populliste të krijuar nga institucionet kryesore të vendit gjatë ditëve dhe javëve të fundit. Kthimi dhe pranimi i marrëveshjes së njëjtë, pas gjithë dramës së shkaktuar, tregon joseriozitetin e drejtuesve aktualë të shtetit në përballje me përgjegjësitë e larta shtetërore. Kjo sjellje, përveç se ka lënduar marrëdhëniet e Kosovës me institucionet ndërkombëtare dhe shtetet mike, për të cilat Kosova ka nevojë, ka bllokuar dhe proceset kryesore integruese të vendit.

LDK-ja u bën thirrje institucioneve të vendit që të jenë transparente për procesin e dialogut politik, nëpërmjet raportimit në Kuvend përpara përfaqësuesve të zgjedhur. Deklarimet e fundit të kryeministrit, përveç se kontradiktore, janë dhe tepër të paqarta, së këndejmi, ato krijojnë pasiguri në lidhje me drejtimin e këtij procesi jetik për Kosovën”, ka shkruar Abdixhiku në llogarinë e tij në Facebook. / Gazeta10.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.