
Kosovarët kanë vazhduar të kursejnë me ritëm të qëndrueshëm, duke depozituar gjithnjë e më shumë para në bankat komerciale të vendit.
Të dhënat e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), tregojnë se depozitat e qytetarëve dhe bizneseve kanë arritur në 6.83 miliardë euro në fund të qershorit 2026, Gazeta10.
Sipas raportit të BQK-së, depozitat totale janë rritur nga 5.79 miliardë euro në janar të vitit 2025 në 6.83 miliardë euro në qershor 2026. Kjo nënkupton një rritje prej më shumë se 1 miliard eurosh brenda rreth një viti e gjysmë.
Rritja e depozitave është reflektuar edhe në rezervat e detyrueshme që bankat mbajnë pranë Bankës Qendrore. Të dhënat tregojnë se rezervat e obligueshme janë rritur nga rreth 739 milionë euro në janar 2025 në mbi 861 milionë euro në qershor 2026.

Po ashtu, balancat e bankave në BQK kanë mbetur gjatë gjithë periudhës mbi nivelin minimal të rezervave të kërkuara, duke dëshmuar se sektori bankar vazhdon të ketë një nivel të lartë likuiditeti dhe stabiliteti financiar.
Megjithëse gjatë muajve të parë të vitit 2026 janë regjistruar disa luhatje mujore të depozitave, trendi i përgjithshëm mbetet pozitiv. Pas një rënieje në muajt mars dhe prill, depozitat rikthyen rritjen në muajt maj dhe qershor, kur arritën nivelin më të lartë të periudhës së raportuar.
Të dhënat e Bankës Qendrore tregojnë se sistemi bankar në Kosovë vazhdon të ruajë stabilitetin. /GAZETA10/
